THIRRJE PËR EKSPERTIZË

THIRRJE PËR EKSPERTIZË

EKSPERT PËR VLERËSIMIN E AKTIVITETIT TË QENDRËS PSIKO-SOCIALE VATRA GJATË PERIUDHËS 2021-2023

 

Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, kërkon të kontraktojë një ekspert, me qëllim vlerësimin e jashtëm të aktivitetit të Vatrës në kuadër të zbatimit të Planit Strategjik të Qendrës Psiko-Sociale Vatra 2021-2023.

I. BACKGROUND

Qendra Psiko-Sociale “Vatra” është një organizatë shqiptare jofitimprurëse, e cila e ka filluar aktivitetin e saj që prej vitit 1999. Qendra ka si misiondhe ofron shërbime dhe ekspertizë në parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe dhunës në shoqëri, mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të viktimave të këtyre fenomeneve nëpërmjet programeve të informimit, edukimit, advokimit dhe shërbimeve sociale rezidenciale dhe komunitare. Grupet e synuara të mbështetura nga Qendra Psiko-Sociale “Vatra” përfshijnë shtresat në nevojë, veçanërisht gratë, vajzat, të rinjtë dhe fëmijët.

Drejtimet kryesore të “Vatrës” përfshijnë:

Parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, dhunës dhe abuzimit seksual (përmes fushatave sensibilizuese në mbarë Shqipërinë, mbështetjes me shërbime të fëmijëve, vajzave dhe grave në situatë vulnerabël)
Identifikimi i viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore përmes punës në terren nga njësitë e lëvizshme në 5 rajone të Shqipërisë.
Shërbimet e rehabilitimit dhe riintegrimit për viktimat e trafikimit, abuzimit seksual dhe dhunës, veçanërisht për gratë, vajzat dhe fëmijët e tyre.
Ngritja e kapaciteteve për përfaqësuesit e institucioneve të pushtetit vendor dhe OJF-ve të tjera
Lobim dhe advokim (kontribut në hartimin dhe përmirësimin e legjislacionit dhe politikave shqiptare)

Qendra Vatra punon bazuar në Strategji dhe Plane Veprimi (aktualisht Plani Strategjik i Qendrës Psiko-Sociale Vatra 2021-2023) i cili është një nga dokumentat themelorë që udhëheq organizatën drejt aktivitetit të saj për një periudhë financiare. Në këtë strategji janë përcaktuar misioni, vizioni, vlerat organizative, ekspertiza, objektivat kryesore, rezultatet e pritshme, programet dhe aktivitetet e organizatës, si edhe indikatorët për arritjen e objektivave dhe rezultateve. Dokumenti paraprihet nga një analizë paraardhëse e punës së organizatës, si edhe analizë e kapaciteteve të organizatës (vlerësim i brendshëm dhe i jashtëm).

Duke qenë se Vatra do të draftojë Strategjinë e re 2024 – 2026, krahas analizës së brendshme të punës, synon të realizojë fillimisht një vlerësim të jashtëm të të zbatimit të Planit Strategjik të Qendrës Psiko-Sociale Vatra 2021-2023.

 

I. Projekti për të cilin po kërkohen shërbimet

Ofrimi i shërbimit kërkohet në kuadër të zbatimit të projektit të Granteve Themelore që po realizohet nga Qendra Psiko-Sociale Vatra. Projekti mbështetet nga Granti Themelor i projektit Rajonal “SMART Balkans – Civil Society for Shared Society in the Western Balkans” implementuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Center for Research and Policy Making (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Mediacion (IDM) dhe mbështetet me financim nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtëme (NMFA).

II. Shërbimi i kërkuar

 

Nëpërmjet kësaj thirrje, Qendra “Vatra”, synon të kontraktojë një ekspert për të realizuar vlerësimin e jashtëm të gjithë aktivitetit që Vatra ka zhvilluar gjatë periudhës 2021 – 2023, në kuadër të zbatimit të Planit Strategjik 2021- 2023.

Objektivat e këtij vlerësimi janë:

Evidentimi i rezultateve dhe sfidave të hasura, si edhe vlerësimi i efektivitetit, efikasitetit, rëndësisë, koherencës dhe qëndrueshmërisë së ndërhyrjeve të realizuara.
Ofrimi i gjetjeve, konkluzioneve dhe rekomandimeve, në mënyrë që të nxirren mësime dhe rivlerësohen drejtimet për hartimin dhe zbatimin e Strategjisë së ardhëshme 2024-2026.

Metodologjia:

Pritet që vlerësuesi të përshkruajë dhe të arsyetojë një qasje/metodologji të përshtatshme vlerësimi dhe metoda për mbledhjen e të dhënave në tender. Dizajni i vlerësimit, metodologjia dhe metodat për mbledhjen dhe analizën e të dhënave pritet të zhvillohen plotësisht dhe të përdoren. Duhet të sugjerohen qasje/metodologji dhe metoda inovative dhe fleksibël për mbledhjen e të dhënave në distancë kur është e përshtatshme. Këto metoda duhet të kombinohen midis analizës së dokumentacionit, intervistave të personave kyç dhe përfituesve të programeve dhe partnerëve, të dhëna sasiore (nëse është i mundur përdorimi i pyetsorëve).

Grupi i synuar për përfshirjen në vlerësim sugjerohet të përbëhet nga:

Stafi i programeve të Qendrës Psiko-Sociale Vatra dhe përfaqësues të Bordit;
Përfitues direkt të programeve: viktima të mundshme të trafikimit dhe dhunës me bazë gjinore; punonjës të institucioneve në nivelin vendor, përfitues të trajnimeve, ëorkshopeve; përfitues të sesioneve informuese dhe edukuese; etj;
Partnerë të Vatrës nga institucionet qendrore dhe vendore, donatorë, OJF, përfaqësues të rrjeteve dhe koalicioneve, etj

Sygjerohet përdorimi i kritereve vleresuese të OECD/DAC[1].

Raporti i vlerësimit:

Gjetjet dhe përfundimet e vlerësimit do të rrjedhin logjikisht nga të dhënat. Pyetjet e vlerësimit duhet të shprehen qartë dhe t’u jepet përgjigje në përmbledhjen ekzekutive dhe në përfundime. Rekomandimet dhe mësimet e nxjerra duhet të rrjedhin logjikisht nga konkluzionet dhe të jenë specifike, të drejtuara për përdoruesit e synuar dhe të kategorizohen si afatshkurtër dhe afatmesëm.

Raporti duhet të ketë një maksimum prej 15 faqesh duke përjashtuar anekset. Anekset do të përfshijnë të paktën hartën e palëve të interesuara dhe Matricën e Vlerësimit. Përfshirja e të dhënave personale në raport duhet të bazohet gjithmonë në një pëlqim me shkrim.

III. Kohëzgjatja e shërbimit

 

Kohëzgjatja e shërbimit do të shtrihet në periudhën dhjetor 2023 – prill 2024, në jo më shumë se 20 ditë pune.

IV. Përgjegjësitë:

Eksperti në bashkëpunim me stafin e projektit do të punojë në përputhje me Termat e Referencës. Detyrat dhe aktivitetet specifike do të realizohen me termat e referencës si më poshtë:

Hartimi dhe finalizimi i metodologjisë së punës
Mbledhja dhe analiza e të dhënave
Draftimi i Raportit të Vlerësimit dhe rishikimi
Finalizimi i Raportit Vlerësues

V. Indikatorët e performancës

– Realizimi i kënaqshëm i të gjitha detyrave që do të realizohen në kuadër të kontratës së bashkëpunimit dypalësh.

– Dorëzimi në afatet e përcaktuara në kontratë i Raportit të Vlerësimit.

– Raportim i përmbledhur i punës së realizuar dhe kohëshënuesi i punës së realizuar

VI. Kompetencat dhe aftësitë

Vatra synon të kontraktojë një ekspert me këto specifika:

Të ketë punuar të paktën 5 vjet në fushën e zhvillimit organizativ/menaxherial
Të ketë eksperienca të mëparshme, të ngjashme në realizimin e Vlerësimeve dhe monitorimeve.
Preferohet të jetë njohës i kontekstit, legjislacionit dhe politikave në fushën kundër trafikimit njerëzor dhe dhunës me bazë gjinore
Shprehi të mira në komunikim dhe punë në grup dhe korrektësi në zbatimin në afat dhe me efektivitet të punës.

VII. Procesi i aplikimit

Personat e interesuar duhet të dorëzojnë brenda datës 30.10.2023, elektronikisht në adresën info@qendravatra.org.al, ose nëpërmjet postës zyrtare me zarf të mbyllur dokumentat si më poshtë:

Letër – shprehje interesi
Një përmbledhje të shkruar të punës që synojnë të realizojnë
Kopje të kartës se identitetit
CV – profesionale
Oferta financiare për realizimin detyrës

Njoftimi i kandidatit fitues brenda muajit dhjetor.

[1] https://www.oecd.org/dac/evaluation/daccriteriaforevaluatingdevelopmentassistance.htm

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *