VERA LESKO VLERËSOHET PËR LUFTËN NDAJ TRAFIKIMIT TË NJERËZVE

Tiranë, 5 Shkurt – Vera Lesko , Presidente nderi e Qendres Psiko – Sociale “Vatra”, vlerësohet nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta si Ambasadore Nderi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Gjatë një takimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme me përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe në praninë e Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta vlerësoi kontributin e znj. Vera Lesko, drejtuese e qendrës Vatra në Vlorë, si një nga personat e parë nga shoqëria civile, e angazhuar për një kohë të gjatë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri. Meta tha se vlerësimet për znj. Lesko mund të jenë të shumta, por unë do ta vlerësoja si ambasadoren më të mirë të Shqipërisë në luftën kundër trafikimit. Shoqëria ka nevojë për njerëz të tillë, komunitetit i nevojitet një lider si znj. Lesko, dhe unë si Ministër i Jashtëm vlerësoj tek personaliteti i znj. Lesko profilin më të mirë për një Ambasadore nderi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, – tha Meta.  Gjithashtu z. Meta shtoi se Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe se Qeveria ka hartuar bazën e nevojshme ligjore, si dhe Strategjinë Kombëtare antitrafik. Arritjet e qeverisë shqiptare dhe të strukturave të specializuara kanë qenë të dukshme dhe të vlerësuara nga partnerët tanë. Qeveria shqiptare ka demonstruar dhe është plotësisht e angazhuar të marrë në mbrojtje viktimat e trafikimit, të ndalojë shfrytëzimin e personave vulnerabël, si dhe të ndëshkojë me të gjithë rreptësinë e ligjit shfrytëzuesit e tyre, tha z. Meta. Në këtë kuadër, z. Meta theksoi se Qeveria është e vendosur të ndërtojë një partneritet të ri me shoqërinë civile dhe me të gjithë grupet e interesit në mënyrë që puna e përbashkët të përfitojë një dimension rajonal.

Znj. Vera Lesko, ne fjalen e saj nder te tjera theksoi dhe shprehu krenarinë për këtë vlerësim dhe e konsideroi si një vlerësim që i bëhet të gjithë stafit të Vatrës, të gjitha atyre grave dhe vajzave që me përkushtim dhe sakrificë, kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në mbrojtje të viktimave të trafikimit njerëzor.

Po keshtu ajo  shtoi se : është e vërtetë që trafikimi i qenieve njerëzore është në rënie. Ai nuk ka më pamjen e disa viteve më parë. Ndaj, unë sot gjej rastin të falënderoj të gjitha organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar kundër trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe Ministrinë e Brendshme, policinë e shtetit, koordinatorin kombëtar antitrafik, Ambasadën e SHBA, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, KE, USAID, OSBE, IOM, etj.  Në mbyllje të takimit, z. Meta i dorëzoi znj. Lesko një Çertifikatë Mirënjohjeje, përmes së cilës shprehet mirënjohja e thellë e Qeverisë dhe shoqërisë shqiptare për punën dhe aktivitetin e saj në vite si dhe vlerësohet personaliteti i saj si një Ambasadore Nderi në luftën kundër trafikimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *