Thirrje per ofrimin e sherbimit te sigurise se Qendres Rezidenciale

THIRRJE PËR TENDERIM SHËRBIMI

“RUAJTJA DHE SIGURIA E OBJEKTIT “QENDËR REZIDENCIALE”

Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, kërkon të kontraktojë një kompani sigurie të liçencuar dhe të specializuar për ofrimin e shërbimit 24 orësh /7 ditë në javë me objekt: “Ruajtja dhe siguria e objektit “Qendër rezidenciale”

I. Programi dhe qëllimi për të cilin po kërkohet shërbimi

Ofrimi i shërbimit kërkohet në përmbushje të programit të Asistencës Direkte rehabilituese dhe riintegruese, të ofruar në Qendrën Rezidenciale. Strehimi i sigurt i rezidentëve dhe stafit në qendrën rezidenciale afatgjatë të mbrojtur 24 orë/ 7 ditë në javë, është shërbim i rëndësisë së veçantë dhe ka në bazë, krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur, duke parandaluar/ndaluar çdo rrezik të jashtëm dhe të brendshëm, që mund t’u kanoset rezidentëve dhe stafit të qendrës, bazës materiale në pronësi të Qendrës rezidenciale, nga persona keqbërës.

II. Përgjegjësitë e kërkuara në kuadër të zbatimit të shërbimit:

Kompania që do të kontraktohet për kryerjen e shërbimit të sigurisë/mbrojtjes, duhet të ofrojë shërbim të përshtatshëm, cilësor dhe kosto të pranueshme, duke mundësuar:

1. Sigurimin e objektit, rezidentëve të akomoduar dhe stafit të qendrës rezidenciale, me anë të shërbimit të rojeve të kompanisë përgjatë 24 orëve të shërbimit, nëpërmjet sistemit me 3 turne.
2. Përzgjedhjen e rojave të shërbimit nga të dy palët (Kompania dhe Qendra Vatra), të cilët duhet të jenë pajisur me dëshmi penaliteti që nuk janë ndjekur apo ndiqen penalisht dhe të kenë aftësitë e duhura për të kryer detyrën.

3. Sigurimin e përshtatshëm të rojave të shërbimit me kontribute (shoqërore dhe shëndetësore) sipas legjislacionit në fuqi dhe zbatimin e Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë.

4. Sigurimin e bazës materiale dhe trajnimeve për personelin e shërbimit

5. Parandalimin e vjedhjeve të mundshme të objektit.

6. Sigurimin e shërbimit me një proces komunikimi dhe raportimi të dokumentuar dhe të rregullt.

7. Zbatimin e Politikave dhe Procedurave të Qendrës Vatra, përfshirë Procedurat e Mbrojtjes.

8. Bashkëpunimin me institucionet e Ministrisë së Brendëshme të Shqipërisë (Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë).

9. Monitorimin e punës së rojeve të shërbimit, nëpërmjet kamerave të sigurisë, vizitave periodike në objekt, në mbështetje të kontratës si edhe standardeve të Qendrës Rezidenciale.

10. Komunikim periodik me drejtuesit e organizatës dhe drejtuesin e strehëzës, për të trajtuar çdo çështje që do të evidentohet gjatë punës.

11. Trajnimin e vazhduar dhe qëndrueshmërinë e rojave të shërbimit. Për cdo largim nga puna të punonjësve të sigurisë, do të njoftohen në formë zyrtare drejtuesit e Organizatës (Drejtori Ekzektutiv ose Zv. Drejtori).

12. Sigurimin e shoqërimit në aktivitet jashtë Qendrës, kur është e nevojshme, për stafin e qendrës dhe rezidentët.

13. Masa të tjera që mund të parandalojnë dhunën ndaj rezidentëve, stafit dhe pasurisë së Qendrës Rezidenciale.

III. Termat e references

Aplikuesi duhet të plotësojë këto kushte të përgjithëshme:

1. Kompania është i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe ka në fushën e veprimtarisë objektin e prokurimit. Në rastin kur ofertuesi është një organizatë jofitimprurëse, duhet të deklarojë se është i regjistruar si person juridik, sipas Ligjit Nr.8788, datë 07.05.2001 “Për Organizatat jo Fitimprurëse”.
2. Kompania nuk është dënuar për asnjë vepër penale, përfshirë vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale.

3. Personi/at në cilësinë e anëtarit të organit administrativ, drejtuesit ose mbikëqyrësit, aksionerit ose ortakut, ose që ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese brenda kompanisë, nuk janë ose kanë qenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për asnjë vepër penale.

4. Kompania nuk është në proces falimentimi (statusi aktiv)

5. Kompania ka paguar të gjitha detyrimet për pagimin e tatimeve e të kontributeve të sigurimeve shoqërore , sipas legjislacionit në fuqi

Këto kritere duhet të përmbushen me paraqitjen e dokumentacionit vërtetues që lëshohen nga autoritetet përkatëse.
Për të provuar përmbushjen e kapaciteteve të mëposhtme, kompania duhet të dorëzojë:

1.1 Kapaciteti ligjor/profesional i kompanisë

1.1.1 Licensë e shoqërisë për ushtrimin e aktivitetit të “Shërbimit të ruajtjes dhe/ose sigurisë fizike” e vlefshme, miratuar me vendim të Drejtorisë së Përgjithëshme të Policisë së Shtetit për nënkategorinë 1.3.A, me veprimtari “Sigurimi fizik i objekteve shtetërore e private si dhe veprimtarive social kulturore, sportive fetare e politike”, lëshuar nga QKL;
1.1.2 Çertifikatë e drejtuesit teknik dhe titullarit të subjektit, e vlefshme për ushtrimin e veprimtarisë së ruajtjes dhe të sigurisë fizike për nënkategorinë 1.3.A;

1.1.3 Çertifikatë për punonjës shërbimi në fushën e veprimtarisë së shërbimit për ruajtjen dhe sigurimin fizik të objekteve dhe pronave sipas Ligjit 75/2014 nënkategoria 1.3.A të lëshuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë;

1.2 Kapaciteti ekonomik dhe financiar:

1.2.1 Kompania ofertuese duhet të paraqesë vërtetim lëshuar nga Administrata Tatimore për xhiron mesatare vjetore për tre vitet e fundit. Të paraqesë kopje te çertifikuara te bilançeve financiare për tre vitet e fundit.
1.2.2 Vërtetim nga pushteti vendor (Bashkitë) që ka paguar taksat dhe tarifat vendore për çdo vend të ushtrimit të aktivitetit sipas adresave te regjistruara ne QKB për tre vitet e fundit.

1.3 Kapaciteti teknik:

1.3.1 Dëshmi për shërbime të mëparshme të ngjashme, të kryera gjatë tre viteve të fundit.
Në rastin e përvojës së mëparshme të realizuar me sektorin privat si dëshmi pranohen vetëm faturat tatimore te shitjes ku te shënohen datat, shumat dhe shërbimet e realizuara.
1.3.2 Autorizim individual nga AKEP për caktim frekuencash për sistem radiokomunikimi dhe alarmi, konform Ligjit nr. 9918, datë 19.05.2008 “Per komunikimin elektronike ne RSh” me zonë mbulimi ku të përfshihet objekti i prokurimit.

1.3.3 Kompania ofertuese duhet të paraqesë Aktin e Miratimit të Qendrës së Kontrollit, miratuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë konform Udhezimit te Ministrit te Brendshem nr.130, date 05.03.2018 ”Për funksionimin e shërbimit privat të sigurisë”.

1.3.4 Kompania ofertuese duhet të paraqesë vërtetim përformance nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në të cilen të pasqyrohet informacioni për: -Lista emërore e punonjësve të çertifikuar nënkategoria 1.3.A për jo më pak se 5(pesë) punonjës shërbimi; – Të mos ketë marrë masë administrative nga policia e shtetit për Subjektin, Titullarin dhe Drejtuesin Teknik për vitin 2022-2023.( të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për SHPSF-të); Ky vërtetim duhet të përmbajë informacionin dhe opinionin pozitiv për kompaninë.

1.3.5 Kompania duhet të paraqesë vërtetim nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve për numrin e punonjësve të siguruar për tre muajt e fundit që përkojnë sipas legjislacionit tatimor me hapjen e tenderit, të shoqëruar me listëpagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore për këtë periudhë.

1.3.6 Kompania duhet të disponojë jo më pak se një automjet në pronësi të shoqërisë apo të marrë me qera për ndërhyrje në raste emergjente me grup të gatshëm.

Për këtë, kompania duhet të paraqesë:

– Leje e Qarkullimit dhe taksat e automjetit (të vlefshme) në pronesi të kompanisë.

Në rastin kur automjeti është marrë me qera, Leja e Qarkullimit duhet të shoqërohet edhe me Kontratën noteriale të marrjes me qera, ku të jetë përcaktuar afati dhe qëllimi i marrjes me qera.

1.3.7 Kompania duhet të paraqesë analizën e kostos për ofertën e paraqitur. (Shih Shtojca 1 – Sqarime)

1.4 Të tjera

– Të vetëdeklarojë se nuk është në konflikt interesi me Qendren Psiko Sociale Vatra, (Shih Shtojca 2).

III. Kohëzgjatja e shërbimit dhe lloji i monedhës së ofertës financiare

Shërbimi kërkohet për periudhën 3 vjeçare: 1 Janar 2024 – 31 Dhjetor 2026

Monedha e ofertës financiare duhet të jetë në LEK

IV. Procesi i aplikimit

Kompanitë/ operatorët ekonomikë të interesuara duhet të dërgojnë me postë zyrtare ose dorazi, brenda datës 21.12.2023 pranë Zyrës Administrative të Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” ( Adresa: Lagjja: “Isa Boletini”, Rr: “Nermin Vlora Falaski”, pallati nr. 13, Shk I, kati 3, Vlorë, Shqipëri) me zarf të mbyllur dhe të vulosur nga kompania/operatori ekonomik, dokumentat e mësipërme, të firmosura dhe vulosura nga titullari i kompanisë:

Zarfi i jashtëm duhet të japë informacionin e mëposhtëm:
a) adresën për dorëzimin e ofertes;

c) fjalët “Të mos hapet përpara seancës së hapjes së tenderit”

d) emrin e ofertuesit

Të gjithë dokumentat duhet të jenë origjinale ose fotokopje të noterizuara. Çdo kriter i mësipërm, i cili nuk plotësohet, përbën kusht për skualifikim.

V. Procesi i përzgjedhjes së kompanisë
– Vlerësimi administrativ i kapacitetit teknik, Profesional dhe Ekonomiko –Financiar. Dokumentat e dorëzuara gjatë aplikimit do të verifikohen për përputhshmërinë e tyre me kërkesat e specifikuara në kreun 3.

– Vlerësimi ofertës teknike. Oferta teknike do të analizohet bazuar në termat e referencës

– Vlerësimi i ofertës financiare. Ofertat që tejkalojnë buxhetin maksimal të disponueshëm për kontratën do të eliminohen.

Zgjedhja e tenderuesit të përzgjedhur
Të gjitha ofertat të cilat përmbushin kërkesat administrative dhe kalojnë statusin e vlerësimit administrativ lidhur me aftësinë teknike, profesionale, ekonomiko – financiare do të kualifikohen per t’u analizuar lidhur me ofertën financiare.

Vlera më e mirë financiare përcaktohet duke peshuar cilësinë teknike kundrejt çmimit.

Procesi i përzgjedhjes do të realizohet nga Këshilli Administrativ i Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” me datë 22.12.2023 dhe njoftimi për kompaninë fituese do të bëhet po atë ditë sipas shtojcës 3.

VI. Kushtet e pagesës
Sipas rregullave të prokurimit pagesa do të kryhet përmes llogarisë rrjedhëse pas ofrimit te sherbimit mujor, si dhe prezantimit të faturës origjinale, brenda dhjetë ditëve të punës (kushtet finale të pagesës mund t’i nënshtrohen negociatave të mëtejme).

 

VII. Konfidencialiteti

E gjithë procedura e vlerësimit është konfidenciale, duke iu nënshtruar procedurave të Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” për aksesin në dokumenta. Vendimet e Komisionit të Vlerësimit janë kolektive dhe shqyrtimi i tij mbahet në seancë të mbyllur.

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit janë të detyruar të ruajnë sekretin. Raportet e vlerësimit dhe shënimet e mbajtura janë vetëm për përdorim zyrtar dhe nuk mund t’u komunikohen as ofertuesve dhe as ndonjë pale tjetër përveç Qendrës Psiko-Sociale Vatra, Donatorit, autoriteteve ligjore dhe tatimore në rast kërkesë nga ana e tyre.
(Shtojca 4 Lista e Informacionit Konfidencial)

VIII. Etika dhe Korrupsioni

a) Çdo përpjekje e një tenderuesi për të marrë informacion konfidencial, për të hyrë në marrëveshje të paligjshme me konkurrentët ose për të ndikuar në Komisionin e Vlerësimit gjatë procesit të shqyrtimit, sqarimit, vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve do të çojë në refuzimin e ofertës së tij.
b) Ofertuesi nuk duhet të ndikohet nga ndonjë konflikt interesi dhe nuk duhet të ketë marrëdhënie të barasvlershme në këtë drejtim me ofertuesit e tjerë ose palët e përfshira në projekt.

c) Qendra Psiko – Sociale “Vatra” rezervon të drejtën të pezullojë proceduren nëse evidenton “praktika korruptive” si oferta e një ryshfeti, dhurate, shpërblimi ose komisione ndërmjetesimi për dhënien e një kontrate ose ekzekutimin e një kontrate .

d) Ofertat do të refuzohen ose kontratat do të ndërpriten nëse del se dhënia ose ekzekutimi i një kontrate ka shkaktuar shpenzime të pazakonta tregtare. Shpenzime të tilla të pazakonta tregtare janë komisionet që nuk përmenden në kontratën kryesore ose që nuk rrjedhin nga një kontratë e lidhur siç duhet që i referohet kontratës kryesore, komisionet e papaguara në këmbim të ndonjë shërbimi jashtë fushës së projektit dhe kontratës së lidhur mes palëve.

e) Qendra Psiko-Sociale Vatra rezervon të drejtën të pezullojë ose anulojë procedurën, kur procedura e dhënies së kontratës rezulton se ka qenë subjekt i gabimeve thelbësore, parregullsive ose mashtrimeve.

IX. Anulimi i procedurës së tenderit

Në rast të anulimit të procedurës së tenderit, Qendra Psiko-Sociale Vatra do të njoftojë tenderuesit për anulimin. Nëse procedura e tenderit anulohet përpara se të hapet ofertat atëherë zarfat e pahapur dhe të mbyllur do t’u kthehen tenderuesve.

Anulimi mund të ndodhë kur:

• Procedura e tenderit ka qenë e pasuksesshme, d.m.th., nuk është marrë asnjë ofertë me vlerë cilësore apo financiare ose nuk ka fare përgjigje të vlefshme;
• ka ndryshime thelbësore në të dhënat ekonomike ose teknike të projektit;

• rrethanat e jashtëzakonshme ose forca madhore e bëjnë të pamundur zbatimin normal të kontratës;

• ka pasur parregullsi në procedurë, veçanërisht nëse ato kanë penguar konkurrencën e ndershme;

Per tu plotesuar:
Shtojca 1 – FORMULARI I OFERTËS EKONOMIKE
Shtojca 2 – FORMULAR DEKLARIMI KONFLIKT INTERESI
Shtojca 3 – NJOFTIM FITUESI
Shtojca 4 – Lista e Informacionit Konfidencial
 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *