Thirrje për konsulencë në realizimin e trajnimeve.

Ekspert për realizimin e trajnimeve me ofruesit e shërbimeve për Viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit në 12 qarqet e Shqipërisë

I. Hyrje

Qendra Psiko-Sociale “Vatra” është një organizatë shqiptare jofitimprurëse, e cila ofron shërbime dhe ekspertizë për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje e shoqëri. Qendra Psiko-Sociale “Vatra” ka filluar aktivitetin e saj si institucion që prej vitit 1999. Kjo qendër ka si misionparandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe dhunës në shoqëri, mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të viktimave të këtyre fenomeneve nëpërmjet programeve të informimit, edukimit, advokimit dhe shërbimeve sociale rezidenciale dhe komunitare. Grupet e synuara të mbështetura nga Qendra Psiko-Sociale “Vatra” përfshijnë shtresat në nevojë, veçanërisht gratë, vajzat, të rinjtë dhe fëmijët.

Për më tepër shih. http://www.qendravatra.org.al/

II. Thirrja për ekspertizë dhe projekti për të cilin po kërkohet shërbimi

Nëpërmjet kësaj thirrje për ekspert, Qendra “Vatra”, synon të kontraktojë dy ekspertë për realizimin e moduleve të trajnimeve dhe zhvillimin e trajnimeve me punonjës të institucioneve lokale, përgjegjës për identifikimin, mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve për Viktimat/Viktimat e mundshme të trafikimit.

Shërbimi i ekspertëve kërkohet në zbatim të projektit “Rritja e efektivitetit të sistemit të mbrojtjes, për një përgjigje sa më të mirë ndaj viktimave të trafikimit në Shqipëri” financuar nga Fondacioni Katolik Europian.

Nëpërmjet këtij projekti synohet fuqizimi i sistemit të mbrojtjes për viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit, synim që do të realizohet nëpërmjet vleresimit të aksesit për shërbime dhe kuadrit ligjor në Shqipëri, si edhe fuqizimit të kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve për zbatimin e legjislacionit, politikave sociale dhe praktikave më të mira për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit.

III. Background

Fenomeni i trafikimit të personave mbetet një shqetësim për shoqërine shqiptare dhe autoritetet të cilat pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, ende përballen me sfida të cilat kufizojne reagimin eficent dhe të qëndrueshëm ndaj këtij fenomeni. Situata e vështirë ekonomike, ashtu si edhe varfëria ekstreme në rritje, përfshirë shtresat e ndryshme të popullsisë në vend, vazhdojnë të mbajnë gjallë dhe të ushqejnë të gjitha llojet e trafikimit dhe abuzimit. Evidencat e dhëna nga viktimat e mbijetuara të trafikimit, tregojnë që shumë faktorë të cilët rrisin shkallën e cënueshmërisë drejt trafikimit janë të lidhur me varfërinë, dhunën në familje, abuzimin e fëmijëve dhe neglizhimin, migrimin e pasigurt dhe të parregullt, vlerat dhe normat familjare dhe komunitare, mundësitë e pamjaftueshme për punë, kryesisht për gratë, cënueshmëria mendore, etj.

Gjatë 2019, 38 raste të reja viktima/viktima të mundshme të trafikimit u identifikuan nga agjensi të ndryshme shtetërore dhe joshtetërore dhe u mbështetën me shërbime rehabilitimi dhe riintegrimi nga qendra psiko-sociale Vatra. 81% e rasteve të asistuara nga Vatra gjatë 2019[1], u trafikuan për shfrytëzim seksual; 10% për lypje; 3% për kryerjen e akteve të ulta kriminale (vjedhje, shpërndarje droge); 3% për punë të detyruar dhe 3% në forma të përziera shfrytëzimi.

92% e rasteve të reja të mbështetura me shërbime gjatë 2019 ishin gra dhe vajza dhe 8% djem dhe burra. Djemtë u shfrytëzuan kryesisht për kryerjen e akteve të ulta kriminale, lypje dhe punë të detyruar. 94% e rasteve u shfrytëzuan brenda Shqipërisë dhe 6 e tyre u shfrytëzuan jashtë vendit. 60% ishin minorenë brenda grupmoshës 11 – 17 vjec; 21% të rinj që I përkisnin grupmoshës 18 – 25 vjec; 19% të grupmoshës mbi 26 vjec. Më shumë se 60% e rasteve të asistuara në program ishin minorenë në kohën kur u rekrutuan dhe u shfrytëzuan në trafikim.

Evidencat tregojnë se viktimat e mbijetuara vuajnë nga probleme të shëndetit fizik dhe mendor, mungesa e strehimit, zhvillimit personal, mungesa e edukimit dhe shprehive profesionale, marrëdhëniet në familje, të cilat prekin në mënyrë domethënëse pozicionin e tyre të pafavorshëm social – ekonomik si edhe shtyjnë drejt përjashtimit social. Që prej 1999 Vatra ka kontribuar në mbështetjen direkte të viktimave të trafikimit me shërbime, ka kontribuar në zhvillimin e politikave dhe ngritjes së kapaciteteve të ofruesve të shërbimit dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, për të mbështetur viktimat e trafikimit. Vatra ka krijuar instrumenta vlerësimi për sistemin anti-trafikim dhe në mënyrë të vazhdueshme ka shërbyer si burim informimi dhe udhëheqje për përpjekjet anti-trafikim në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, ka kërkime të limituara në drejtim të asaj që ndryshimet e herë pas herëshme të “profileve të reja”, reflektojnë situatën reale të kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve në drejtim të identifikimit dhe mbrojtjes së viktimave të trafikimit. Numri I viktimave të trafikimit të identifikuara dhe më pas të mbrojtura nga institucionet e zbatimit të ligjit, shëndetit, arsimit, punësimit, inspektoriatet e punës, administratorët sociale dhe punonjësit për mbrojtjen e fëmijëve, vazhdon të jetë shumë i ulët.

IV. Shërbimi i kërkuar

 

Nëpërmjet kësaj thirrje për ekspert, Qendra “Vatra”, synon të kontraktojë dy ekspertë për realizimin e moduleve të trajnimeve dhe zhvillimin e trajnimeve me punonjës të institucioneve lokale, përgjegjës për identifikimin, mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve për Viktimat/Viktimat e mundshme të trafikimit. Për më gjerë shërbimi I ekspertit, kërkohet për dy qëllime:

1. Realizimin e moduleve të trajnimeve që do të zhvillohen me punonjës të institucioneve lokale, përgjegjës për ofrimin e shërbimeve për viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit (VeT/VMT), në 12 qarqet e vendit.

Institucionet që do të përfshihen në trajnime do të jenë: Policia e Shtetit dhe Policia e Kufirit, Strukturat e tjera të Policisë, Shërbimi Social Shtetëror, Strukturat e Mbrojtes sociale në Bashki dhe NJMF/ Punonjësit e Mbrojtjes së Fëmijëve, Inspektoriatin Shtetëror të Punës, Institucionet e Sistemit Arsimor, Institucionet e Kujdesit Shëndetsor. Puna dhe përgjegjësitë e këtyre institucioneve për identifikimin dhe mbrojtjen e VeT/VMT, rrjedh nga VKM nr. 499, dt. 29.08.2018 “Për Procedurat Standarde të Veprimit për identifikimin dhe mbrotjen e Viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit”

Tematika synuar e trajnimeve mbi të cilat do të zhvillohen edhe modulet e trajnimeve, do të jetë (dhe jo vetëm):

– Njohja e legjislacionit anti-trafikim dhe Procedurat Standarde të Veprimit për identifikimin dhe mbrotjen e Viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit

– Të drejtat e viktimave që rrjedhin nga Legjislacioni në fuqi

– Qasjet me në qendër viktimën dhe traumën e informuar

2. Realizimin e seancave trajnuese për cdo grup të identifikuar si përgjegjës për identifikimin dhe mbrotjen e Viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit

Audienca e trajnimit do të jetë e përbërë nga: punonjës të policisë së shtetit (përfshirë punonjës policie të SLKTP, dhe sektorëve të tjerë brenda strukturave të Drejtorive Vendore të Policive dhe Komisariateve) punonjës të Policisë së kufirit, punonjës të policisë gjyqësore, punonjës të shërbimit social shtetëror rajonal, strukturat e mbrojtjes sociale në Bashki, dhe Njësia për Mbrotjen e Fëmijëve/punonjësit e Mbrotjes së Fëmijëve, punonjës të inspektoriatit Shtetëror të Punës, formimit profesional dhe punësimit, punonjës të Sistemit arsimor (kryesisht mësues, psikologë dhe punonjës socialë të shkollave), punonjës të institucioneve të Kujdesit Shëndetësor, punonjës të OJF-ve aktive në fushën anti-trafikim.

Këta punonjës janë përgjegjës për ofrimin e asistencës direkte për viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit, në përputhje me nevojat e tyre për strehim, shëndet dhe mirëqënie sociale, punësim dhe edukim, mbrotje dhe siguri.

V. Përgjegjësitë:

Ekspertët në bashkëpunim me stafin e projektit do të punojnë në përputhje me Termat e Referencës, mbi metodologjinë e hartuar për kryerjen e detyrës, përmbajtjen e moduleve të trajnimit dhe drejtimin e seancave te trajnimit.

Detyrat dhe aktivitetet e tyre specifike do të realizohen me termat e referencës si më poshtë:

1. Hartimi dhe finalizimi I moduleve të trajnimeve.

2. Hartimi I metodologjisë së zbatimit të trajnimeve

3. Kryerja e seancave trajnuese

4. Shkrimi dhe dorëzimi i raporteve për realizimin e trajnimeve së bashku me rekomandimet që do të dalin nga trajnimet.

VI. Indikatorët e performancës

– Realizimi i kënaqshëm i të gjitha detyrave që do të realizohen në kuadër të kontratës së bashkëpunimit dypalësh.

– Dorëzimi në afatet e përcaktuara në kontratë i moduleve të trajnimeve.

– Dorëzimi në afatet e përcaktuara në kontratë i vlerësimeve dhe raporteve të trajnimeve përfshirë rekomandimet.

– Timesheet I punës së realizuar

VII. Kohëzgjatja e shërbimit të konsulencës

Kohëzgjatja e shërbimit do të shtrihet në periudhën 1 Mars 2020 – 31 Maj 2021.

 

VIII. Konfidencialiteti

Eksperti merr në ngarkim realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të dhëna me drejtësi, përgjegësi dhe konfidencialitet, në përputhje me standardet e sjelljes së organizatës, vecanërisht në lidhje me përdorimin dhe mbrojtjen e informacionit dhe integritetit personal dhe profesional.

IX. Kompetencat dhe aftësitë

Vatra synon të kontraktojë dy trajnerë me këto specifika:

1. Të ketë punuar të paktën 5 vjet në fushën Anti-trafikim.

2. Të ketë eksperienca të mëparshme, të ngjashme në realizimin e moduleve të trajnimit dhe trajnimeve, në fushën e mbrojtjes sociale dhe specifikisht në fushën e mbrojtjes së viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit.

3. Të jetë njohës/e i/e mirë i legjislacionit, politikave anti-trafikim, praktikave dhe Sistemit të Mbrojtjes në Shqipëri.

4. Aftësi të mira komunikuese dhe njohëse në fushën anti-trafikim.

5. Korrektësi në zbatimin në afat dhe me efektivitet të punës.

X. Procesi i aplikimit

Personat e interesuar duhet të dërgojnë brenda datës 20 Shkurt 2020 në adresën e emailit zyrtar të Vatrës: info@qendravatra.org.al, ose dorazi, materialet si më poshtë:

1. Letër – shprehje interesi

2. Një përmbledhje të shkruar të punës që synojnë të realizojnë (draft kalendar të shpërndarjes së punës; përshkrim të metodologjisë për hartimin e moduleve dhe realizimin e seancave të trajnimeve)

3. Kopje të kartës se identitetit

4. CV – profesionale

5. Oferta financiare për realizimin detyrës

XI. Procesi I përzgjedhjes

Procesi I përzgjedhjes së dokumentacionit do të realizohet nga Bordi Administrativ I Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” në bashkëpunim me stafin e projektit dhe specialistët përkatës të Qendrës.

Data të rëndësishme:

1. Mbledhja e dokumentacionit të kandidatëve deri me 20 shkurt 2020

2. Shqyrtimi i dokumentacionit të kandidatëve brenda datës 25 shkurt 2020

3. Njoftimi i kandidatëve fitues 27 shkurt 2020

4. Nënshkrimi I kontratës së punës me dt. 1 Mars 2020

[1] Raporti vjetor I Qendrës Psiko-sociale “Vatra” 2019 (në proces publikimi)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *