THIRRJE PER EKSPERTIZE

Terma reference

Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, kërkon të kontraktojë 3 profesionistë të fushave, ligjore dhe psiko-Sociale për ofrimin e shërbimeve si më poshtë:

1. Për konsulentë për realizimin studimit: “Aksesi dhe cilësia e shërbimeve për Viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore në Shqipëri”

2. Për konsulentë për realizimin e trajnimeve me ofruesit lokalë të shërbimeve për viktimat e dhunës me bazë gjinore/dhunës në familje në 12 qarqet e Shqipërisë
3. Për ekspert/e ligjore për mbështetjen ligjore të viktimave të dhunës me bazë gjinore/ dhunës në familje, pranë Qendrës Psiko-Sociale Vatra

I. Hyrje

Qendra Psiko-Sociale “Vatra” është një organizatë shqiptare jofitimprurëse, e cila ofron shërbime dhe ekspertizë për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje e shoqëri. Qendra Psiko-Sociale “Vatra” ka filluar aktivitetin e saj si institucion që prej vitit 1999. Kjo qendër ka si misionparandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe dhunës në shoqëri, mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të viktimave të këtyre fenomeneve nëpërmjet programeve të informimit, edukimit, advokimit dhe shërbimeve sociale rezidenciale dhe komunitare. Grupet e synuara të mbështetura nga Qendra Psiko-Sociale “Vatra” përfshijnë shtresat në nevojë, veçanërisht gratë, vajzat, të rinjtë dhe fëmijët.

II. Projekti për të cilin po kërkohet shërbimi

Shërbimi i konsulentëve kërkohet në zbatim të projektit “Ndërhyrje sistemike për të luftuar dhunën me bazë gjinore në Shqipëri” financuar nga projekti i Balkan Trust for Democracy (BTD) me fonde te Ministrisë së Jashtme Norvegjeze (NMFA) dhe të German Marshall Fund.

Nëpërmjet këtij projekti synohet fuqizimi i sistemit të mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje e dhunës me bazë gjinore në Shqipëri duke u fokusuar në: 1.Analizën e aksesit dhe ofrimit të shërbimeve për viktimat e dhunës; 2. Në fuqizimin e kapaciteteve të aktorëve lokalë që punojnë për mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës; 3. Në fuqizimin e viktimave të dhunës nëpërmjet shërbimeve të ofruara drejtpërdrejtë dhe 4. Rritjes së ndërgjegjësimit të komunitetit për të parandaluar dhe raportuar dhunën në familje/dhunën me bazë gjinore.

Për më tepër shih. http://www.qendravatra.org.al/

III. Background

Dhuna me bazë gjinore (DHBGJ) dhe në veçanti Dhuna kundër Grave (DHKG) mbeten format më të përhapura të dhunës në Shqipëri. Gjendja e ulët socio-ekonomike, situata e paqëndrueshme politike, kultura diskriminuese me bazë gjinore në vend, gjithmonë sjellin pasoja dhe gjenerojnë probleme të mprehta sociale për shoqërinë. Të parët që preken nga këto probleme janë gjithmonë gratë dhe fëmijët (target grupet kryesore që mbështet qendra Psiko-Sociale Vatra) si shtresat më vulnerabël dhe më të diskriminuar të shoqërisë.

Referuar INSTAT, 2020, 3372 gra kanë denoncuar në polici për dhunën në familje, në Shqipëri dhe nga 58 vrasje, rreth 24 % e tyre janë vrasje si pasojë e marrëdhënieve familjare, ku më së shumti janë gra.

Gjatë viteve 2019-2020, me mbështetjen e Vatrës janë mbështetur 537 viktima të dhunës në familje. 72% e tyre ishin gra dhe vajza dhe 28% burra dhe djem. Lloji më i zakonshëm i dhunës së raportuar ishin ato fizike dhe psikologjike (80%) dhe format e tjera të dhunës (15%) dhe dhuna seksuale dhe ngacmimi, ishin më pak të raportuara.

Dhuna ndikon seriozisht në jetën e të mbijetuarve. Nga të dhënat e ofruara nga viktimat e mbështetura nga Vatra, ato kanë nevojë për asistencë shëndetësore dhe psikologjike të menjëhershme dhe afatgjatë; strehim dhe ndihmë imediate dhe të qëndrueshme për punësim. Shumë viktima nuk kanë punuar kurrë në jetën e tyre, për shkak të stereotipeve kulturore. 70% e tyre kanë nivel të ulët arsimor dhe mungesë të mundësive për trajnim. Gratë kanë formim profesional më të ulët në krahasim me burrat. Bizneset lokale ofrojnë pak mundësi për punësimin e grave.. 80% e viktimave të dhunës kanë nevojë për ndihmë ligjore; rreth 90% e tyre kanë nevojë për ndihmë në kujdesin dhe edukimin e fëmijëve; shumë prej viktimave kanë marrëdhënie të dobëta dhe mungesë mbështetjeje nga familjarët. Ata kanë mungesë informacioni dhe akses të ulët në shërbimet publike dhe nuk janë të orientuar drejt këtyre shërbimeve.

Përballë këtyre nevojave sistemi i mbrojtjes, autoritetet qendrore dhe vendore vazhdojnë të përballen me sfida dhe vështirësi. Zbatimi jo i duhur i masave të mbrojtjes lidhet me një sërë problemesh, duke përfshirë: mungesën e akteve nënligjore, implementimin efektiv të legjislacionit, buxhetet e pamjaftueshme, lëvizjet e shpeshta të stafit në zyrat publike, mungesën e monitorimit të duhur, fushata të pamjaftueshme ndërgjegjësuese për të ndryshuar opinionin publik dhe trajnime të pamjaftueshme për palët e interesuara përgjegjës për zbatimin e ligjeve, politikave dhe strategjive. Sfidat lidhen gjithashtu me përmirësimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndër-institucional brenda mekanizmave të referimit tashmë të ngritura, të cilat funksionojnë në shkallë të ndryshme efektiviteti. Kapaciteti i pushtetit vendor në lidhje me integrimin socio-ekonomik të grave është ende i dobët.

IV. Shërbimi i kërkuar

Shërbimi i konsulentëve, kërkohet për qellimin si më poshtë:

1. Realizimin e një studimi në shkallë kombëtare, për të eksploruar situatën dhe për të gjeneruar rekomandime në lidhje me ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje e dhunës me bazë gjinore dhe monitorimin e tyre. Vatra konsideron që variablat e mundshëm, të cilat mund të eksplorohen duhet të përfshijnë (mund të konsiderohen edhe të tjera): a) përshkrimi i kuadrit ligjor dhe strategjik për ofrimin e shërbimeve dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës; b)përshkrimi i shërbimeve ekzistuese për viktimat e dhunës në familje/dhunës me bazë gjinore (konteksti, burimet); c) përshkrimi i qasjeve dhe programeve që përdoren për ofrimin e shërbimeve; d) analiza e profilit të viktimave dhe autorëve të dhunës, nevojat e tyre dhe konsiderimit të profilit në hartimin dhe zbatimin e shërbimeve; e) niveli i aksesit në shërbime nga viktimat e dhunës dhe përfshirja e tyre në shërbime; e) analiza e mbrojtjes ligjore dhe aksesit në drejtësi për viktimat; d) analiza e praktikave parandaluese të dhunës me bazë gjinore, etj.

Konsulentët që do të përzgjidhen, duhet të zhvillojnë një metodologji të bazuar të dhëna sasiore dhe cilësore dhe të mbledhin të dhëna, të paktën nga 2 grupe interesi: Viktimat e dhunës në familje e dhunës me bazë gjinore; Institucionet e përfshira/përgjegjëse në menaxhimin dhe mbrojtjen e rasteve të viktimave të dhunës në familje e dhunës me bazë gjinore: Anëtarët e ETN-ve në Bashkitë e 12 Qarqeve të vendit (Bashkia, Policia, Shërbimi Social Shtetëror, Njësia për Mbrotjen e fëmijëve, Shërbimet për Trajnim professional dhe Punësimit, Institucionet e Shëndetit dhe ato Arsimore, Prokuroria, OJF,te etj)

2. Realizimin e moduleve të trajnimeve dhe zhvillimin e trajnimeve me punonjës të institucioneve lokale, përgjegjës për mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës me bazë gjinore.

Tematikat synuara të trajnimeve mbi të cilat do të zhvillohen edhe modulet e trajnimeve, do të jenë:

– Njohuri të përgjithshme dhe specifike për Dhunën me bazë gjinore; profili i viktimave të dhunës dhe autorëve të dhunës dhe nevojat e tyre

– Praktikat efektive për parandalimin e dhunës me bazë gjinore

– Qasjet efektive për ofrimin e shërbimeve dhe llojet e shërbimeve

– Kuadri ligjor dhe i politikave sociale në mbështetje të viktimave të dhunës me bazë gjinore/dhunës në familje

Audienca e trajnimit do të jetë e përbërë nga: Koordinatorë vendorë të Dhunës në Bashkitë e 12 qarqeve të Shqipërisë, së bashku me specialistët e Policisë që trajtojnë cështjet e dhunës/ SPZ e Komisariateve të cdo qarku; përfaqësues të organizatave apo insitutcioneve që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës.

3. Ofrimin e ekspertizës ligjore për mbështetjen ligjore të viktimave të dhunës me bazë gjinore/ dhunës në familje, pranë Qendrës Psiko-Sociale Vatra . Eksperti/ja do të ofrojë shërbim ligjor parësor dhe dytësor për gra, vajza dhe fëmijë viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Cështjet ligjore do të ndiqen jo vetëm në Qarkun e Vlorës por edhe në Qarqe të tjera sipas nevojave specifike të përfituesve/eve që asistohen. Eksperti/ja do të mbajë kontakte të ngushta me institucionet ligjzbatuese (Polici, Prokurori, Gjykatë. Zyra Përmbarimi, etj.) dhe ofrues të tjerë shërbimesh.

V. Përgjegjësitë:

Konsulentët do të punojnë në përputhje me metodologjinë e hartuar dhe rezultatet e pritshme të vendosura të projektit. Detyrat dhe aktivitetet e tyre specifike do të realizohen me termat e referencës si më poshtë:

Për studimin:

1. Shfletimi i literaturës (desk review) dhe zhvillimi i instrumentave për mbledhjen e të dhënave.

2. Finalizimi i literaturës dhe instrumentave, dhe pilotimi i tyre

3. Mbledhja e të dhënave nëpërmjet instrumentave të aprovuar

4. Analiza dhe diskutimi i të dhënave dhe rekomandimet

5. Shkrimi i dokumentit të kërkimit

6. Rishikimi i dhe finalizimi i studimit

Për trajnimet:

1. Hartimi dhe finalizimi i moduleve të trajnimeve.

2. Hartimi i metodologjisë së zbatimit të trajnimeve

3. Kryerja e seancave trajnuese

4. Përpilimi i pre dhe post-testeve për vlerësimin e trajnimeve

5. Shkrimi dhe dorëzimi i raportit për realizimin e trajnimeve së bashku me rekomandimet që do të dalin nga trajnimet.

Për ekspertizën ligjore:

1. Të vlerësojë nevojat e rasteve që kërkojnë shërbim ligjor;

2. Të ofrojë shërbim ligjor parësor dhe dytësor, sipas specifikës së cështjeve;

3. Shoqërim të përfituesve/eve të shërbimit në institucionet e tjera ligjzbatuese, sipas nevojës;

4. Përgatitje e dosjes së përfituesve/eve me të gjithë dokumentacionin përkates;

5. Hedhje e të dhënave në databazën e organizatës;

6. Kontribut në aktivitetet për parandalim të dhunës më bazë gjinore, sensibilizim të publikut që organizata realizon;

7. Kontribut në përgatitjen e raporteve narrative progresive dhe finale të projektit dhe organizatës.

8. Të hartojë një kohëshënues për punën e kryer dhe ta dorëzojë atë pranë Administratorit/ Menaxherit të Programit të Qendrës Psiko-sociale “Vatra”.

9. Të zbatojë Politikat e dhe Procedurat e Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” gjatë punës në realizimin e trajnimeve.

VI. Indikatorët e performancës

Realizimi i kënaqshëm i të gjitha detyrave që do të realizohen në kuadër të kontratës së shërbimit

– Dorëzimi në afatet e përcaktuara në kontratë i produkteve të kërkuara.

VII. Kohëzgjatja e shërbimit të konsulencës

Kohëzgjatja e shërbimeve do të shtrihet në periudhën 1 Qershor 2021 – 30 Prill 2022, të përcaktuara sipas planit të aktiviteteve të projektit për të cilat kërkohen shërbimet.

VIII. Konfidencialiteti

Konsulenti / kërkuesi merr në ngarkim realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të dhëna me drejtësi, përgjegësi dhe konfidencialitet, në përputhje me standardet e sjelljes së organizatës, vecanërisht në lidhje me përdorimin dhe mbrojtjen e informacionit dhe integritetit personal dhe profesional.

IX. Kompetencat dhe aftësitë

Vatra synon të kontraktojë konsulentë/ekspertë me këto specifika:

Për studimin:

1. Të kenë eksperienca të mëparshme, të ngjashme në realizimin e kërkimeve, analizave dhe studimeve, në fushën e mbrojtjes sociale dhe specifikisht në fushën e mbrojtjes së viktimave të dhunës me bazë gjinore.

2. Të jenë njohës të mirë të legjislacionit, politikave, praktikave dhe Sistemit të Mbrojtjes në Shqipëri.

3. Aftësi të mira në fushën e kërkimit dhe shkrimit të raporteve, analizave dhe studimeve të fushës sociale.

4. Korrektësi në zbatimin në afat dhe me efektivitet të punës

Për trajnimet:

1. Të kenë eksperienca të mëparshme, të ngjashme në realizimin e trajnimeve në fushën e mbrojtjes sociale dhe ligjore dhe specifikisht në fushën e mbrojtjes së viktimave të dhunës me bazë gjinore.

2. Të jenë njohës të mirë të legjislacionit, politikave, praktikave dhe Sistemit të Mbrojtjes në Shqipëri.

3. Aftësi të mira në fushën e kërkimit analizave dhe studimeve të fushës sociale.

4. Korrektësi në zbatimin në afat dhe me efektivitet të punës

Për ekspertizën ligjore:

1. Të kenë eksperienca të mëparshme, të ngjashme në punën direkte në ofrimin e shërbimit ligjor për viktimat e dhunës në familje/ të dhunës me bazë gjinore

2. Të jenë njohës të mirë të legjislacionit, politikave, praktikave dhe Sistemit të Mbrojtjes në Shqipëri.

3. Aftësi të mira në fushën e kërkimit analizave dhe studimeve të fushës sociale.

4. Korrektësi në zbatimin në afat dhe me efektivitet të punës

X. Procesi i aplikimit

Personat e interesuar duhet të dërgojnë brenda datës 25 Maj 2021 në adresën e emailit zyrtar të Vatrës: info@qendravatra.org.al, materialet si më poshtë:

1. Letër – shprehje interesi

2. Një përmbledhje të shkruar të punës që synojnë të realizojnë

3. CV – profesionale

5. Oferta financiare për realizimin shërbimit të kërkuar

XI. Procesi I përzgjedhjes

Procesi i përzgjedhjes së dokumentacionit do të realizohet nga Keshilli Administrativ i Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” në bashkëpunim me stafin e projektit dhe specialistët përkatës të Qendrës.

Data të rëndësishme:

1. Mbledhja e dokumentacionit të kandidatëve deri me 25.05.2021

2. Njoftimi i kandidatëve fitues 29.05.2021

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *