THIRRJE PËR EKSPERTIZË

THIRRJE PËR EKSPERTIZË

EKSPERT PËR RISHIKIMIN E POLITIKAVE DHE PROCEDURAVE TË BRENDSHME TË QENDRËS PSIKO-SOCIALE VATRA

Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, kërkon të kontraktojë një ekspert, të fushës së zhvillimit organizativ, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e Politikave dhe Procedurave të brendshme të Qendrës Psiko-Sociale Vatra

I. BACKGROUND

Qendra Psiko-Sociale “Vatra” është një organizatë shqiptare jofitimprurëse, e cila e ka filluar aktivitetin e saj që prej vitit 1999. Qendra ka si misiondhe ofron shërbime dhe ekspertizë në parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe dhunës në shoqëri, mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të viktimave të këtyre fenomeneve nëpërmjet programeve të informimit, edukimit, advokimit dhe shërbimeve sociale rezidenciale dhe komunitare. Grupet e synuara të mbështetura nga Qendra Psiko-Sociale “Vatra” përfshijnë shtresat në nevojë, veçanërisht gratë, vajzat, të rinjtë dhe fëmijët.

Programet kryesore të “Vatrës” përfshijnë:

Parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, dhunës dhe abuzimit seksual (përmes fushatave sensibilizuese në mbarë Shqipërinë, mbështetjes me shërbime të fëmijëve, vajzave dhe grave në situatë vulnerabël)
Identifikimi i viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore përmes punës në terren nga njësitë e lëvizshme në 5 rajone të Shqipërisë.
Shërbimet e rehabilitimit dhe riintegrimit për viktimat e trafikimit, abuzimit seksual dhe dhunës, veçanërisht për gratë, vajzat dhe fëmijët e tyre.
Ngritja e kapaciteteve për përfaqësuesit e institucioneve të pushtetit vendor dhe OJF-ve të tjera
Lobim dhe advokim (kontribut në hartimin dhe përmirësimin e legjislacionit dhe politikave shqiptare)

Qendra Vatra punon bazuar në Politika dhe Procedura të Brendshme të cilat rregullojnë funksionimin e brendshëm dhe të jashtëm të saj dhe që janë në përputhje me Legjislacionin në Fuqi si edhe Standardet Ndërkombëtare të ofrimit të shërbimit.

Për më tepër shih. http://www.qendravatra.org.al/

 

I. Projekti për të cilin po kërkohen shërbimet

Ofrimi i shërbimit kërkohet në kuadër të zbatimit të projektit të Granteve Themelore që po realizohet nga Qendra Psiko-Sociale Vatra. Projekti mbështetet nga Granti Themelor i projektit Rajonal “SMART Balkans – Civil Society for Shared Society in the Western Balkans” implementuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Center for Research and Policy Making (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Mediacion (IDM) dhe mbështetet me financim nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtëme (NMFA).

II. Shërbimi i kërkuar

 

Nëpërmjet kësaj thirrje, Qendra “Vatra”, synon të kontraktojë një ekspert për realizimin e rishikimit të Politikave dhe Procedurave të Brendshme të Qendrës (aktuale), të cilat janë objekt rishikimi dhe përmirësimi në vazhdimësi.

Eksperti që do të përzgjidhet do të punojë në bashkëpunim të ngushtë me stafin e Vatrës, kryesisht me atë manaxherial, me qëllim që të reflektojë rishikimin dhe përmirësimin e procedurave. Gjithashtu Eksperti do të bashkëpunojë ngushtë me gjithë stafin e organizatës, përfaqësues të Bordit të Vatrës, si edhe përfitues të programit, të cilët do të përfshihen në këtë aktivitet të rëndësishëm.

Pritet që në përfundim të detyrës të hartohet Manuali i rishikuar i Politikave dhe Procedurave, duke përfshirë Politikat e Drejtimit, Administrimit, Burimet Njerëzore, Financiare, të Prokurimit, Komunikimit, Ruajtjes së Mjedisit, Barazisë gjinore, Monitorimit dhe Vlerësimit, Menaxhimit të riskut, etj si edhe grupin e Politikave të Mbrojtjes dhe Kodit të Sjelljes së punonjësve të Qendrës Psiko-Sociale Vatra.

III. Kohëzgjatja e shërbimit

 

Kohëzgjatja e shërbimit do të shtrihet në periudhën dhjetor 2023– prill 2024, në jo më shumë se 10 ditë pune.

IV. Përgjegjësitë:

Eksperti në bashkëpunim me stafin e projektit do të punojë në përputhje me Termat e Referencës për realizimin e Politikave dhe Procedurave të Brendshme. Detyrat dhe aktivitetet specifike do të realizohen me termat e referencës si më poshtë:

Hartimi dhe finalizimi i metodologjisë së punës
Mbledhja dhe analiza e të dhënave dhe dokumentave ekzistues
Draftimi i Politikave dhe Procedurave të rishikuara
Finalizimi i dokumentave

V. Indikatorët e performances

– Realizimi i kënaqshëm i të gjitha detyrave që do të realizohen në kuadër të kontratës së bashkëpunimit dypalësh.

– Dorëzimi në afatet e përcaktuara në kontratë i Manualit të Politikave dhe Procedurave.

– Raportim i përmbledhur i punës së realizuar dhe kohëshënuesi i punës së realizuar

VI. Kompetencat dhe aftësitë

Vatra synon të kontraktojë një ekspert me këto specifika:

Të ketë punuar të paktën 5 vjet në fushën e zhvillimit organizativ
Të ketë eksperienca të mëparshme, të ngjashme në realizimin e dokumentave të politikave dhe procedurave organizative;
Të jetë njohës/e i/e mirë i legjislacionit dhe politikave për OJF
Shprehi të mira në komunikim dhe punë në grup dhe korrektësi në zbatimin në afat dhe me efektivitet të punës.

VII. Procesi i aplikimit

Personat e interesuar duhet të dorëzojnë brenda datës 31.10.2023, elektronikisht në adresën info@qendravatra.org.al, ose nëpërmjet postës zyrtare me zarf të mbyllur dokumentat si më poshtë:

Letër – shprehje interesi
Një përmbledhje të shkruar të punës që synojnë të realizojnë
Kopje të kartës se identitetit
CV – profesionale
Oferta financiare për realizimin detyrës

Njoftimi i kandidatit fitues brenda muajit dhjetor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *