Thirrje per ekspert per realizimin e baseline per sherbimet per viktimat e dhunes me baze gjinore

Terma reference

 

Thirrje për ekspert për realizimin e një baseline mbi vlerësimin e sistemit të mbrojtjes për viktimat e dhunës me bazë gjinore në Bashkinë Berat

I. Hyrje

Qendra Psiko-Sociale “Vatra” është një organizatë shqiptare jofitimprurëse, e cila ofron shërbime dhe ekspertizë për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje e shoqëri. Qendra Psiko-Sociale “Vatra” ka filluar aktivitetin e saj si institucion që prej vitit 1999. Kjo qendër ka si misionparandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe dhunës në shoqëri, mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të viktimave të këtyre fenomeneve nëpërmjet programeve të informimit, edukimit, advokimit dhe shërbimeve sociale rezidenciale dhe komunitare. Grupet e synuara të mbështetura nga Qendra Psiko-Sociale “Vatra” përfshijnë shtresat në nevojë, veçanërisht gratë, vajzat, të rinjtë dhe fëmijët.

Për më tepër shih. http://www.qendravatra.org.al/

II. Thirrja dhe projekti për të cilin po kërkohet shërbimi

Shërbimi i konsulentëve kërkohet në zbatim të projektit që po zbatohet nga Qendra Psiko-Sociale Vatra me titull “Advokim për viktimat – për fuqizimin e sistemit të mbrojtjes për gratë dhe vajzat, të mbijetuara të dhunës me bazë gjinore në Bashkinë e Beratit” mbështetur nga AWEN me fonde të Agjencisë Austriake të Zhvillimit (ADA).

III. Background

Dhuna me bazë gjinore (DHBGJ) dhe në veçanti Dhuna kundër Grave (DHKG) mbeten format më të përhapura të dhunës në Shqipëri. Gjendja e ulët socio-ekonomike, situata e paqëndrueshme politike, kultura diskriminuese me bazë gjinore në vend, gjithmonë sjellin pasoja dhe gjenerojnë probleme të mprehta sociale për shoqërinë. Të parët që preken nga këto probleme janë gjithmonë gratë dhe fëmijët (target grupet kryesore që mbështet qendra Psiko-Sociale Vatra) si shtresat më vulnerabël dhe më të diskriminuar të shoqërisë.

Dhuna ndikon seriozisht në jetën e të mbijetuarve. Nga të dhënat e ofruara nga viktimat e mbështetura nga Vatra, ato kanë nevojë për asistencë shëndetësore dhe psikologjike të menjëhershme dhe afatgjatë; strehim dhe ndihmë imediate dhe të qëndrueshme për punësim. Shumë viktima nuk kanë punuar kurrë në jetën e tyre, për shkak të stereotipeve kulturore. 70% e tyre kanë nivel të ulët arsimor dhe mungesë të mundësive për trajnim. Gratë kanë formim profesional më të ulët në krahasim me burrat. Bizneset lokale ofrojnë pak mundësi për punësimin e grave.. 80% e viktimave të dhunës kanë nevojë për ndihmë ligjore; rreth 90% e tyre kanë nevojë për ndihmë në kujdesin dhe edukimin e fëmijëve; shumë prej viktimave kanë marrëdhënie të dobëta dhe mungesë mbështetjeje nga familjarët. Ata kanë mungesë informacioni dhe akses të ulët në shërbimet publike dhe nuk janë të orientuar drejt këtyre shërbimeve.

Përballë këtyre nevojave sistemi i mbrojtjes, autoritetet qendrore dhe vendore vazhdojnë të përballen me sfida dhe vështirësi. Zbatimi jo i duhur i masave të mbrojtjes lidhet me një sërë problemesh, duke përfshirë: mungesën e akteve nënligjore, implementimin efektiv të legjislacionit, buxhetet e pamjaftueshme, lëvizjet e shpeshta të stafit në zyrat publike, mungesën e monitorimit të duhur, fushata të pamjaftueshme ndërgjegjësuese për të ndryshuar opinionin publik dhe trajnime të pamjaftueshme për palët e interesuara përgjegjës për zbatimin e ligjeve, politikave dhe strategjive. Sfidat lidhen gjithashtu me përmirësimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndër-institucional brenda mekanizmave të referimit tashmë të ngritura, të cilat funksionojnë në shkallë të ndryshme efektiviteti. Kapaciteti i pushtetit vendor në lidhje me integrimin socio-ekonomik të grave është ende i dobët.

IV. Shërbimi i kërkuar

 

Nëpërmjet kësaj thirrje për ekspert, Qendra “Vatra”, synon të kontraktojë një ekspert për realizimin e një baseline-i për të eksploruar dhe vlerësuar sistemin mbështetës dhe shërbimet që iu ofrohen viktimave të dhunës me bazë gjinore në bashkinë e Beratit. Të dhënat synohen të mblidhen nga punonjës të sistemit të mbrojtjes që punojnë drejtpërdrejt në përmbushje të nevojave të viktimave, si edhe të dhëna të mbledhura nga vetë viktimat e dhunës me bazë gjinore.

V. Përgjegjësitë:

Eksperti në bashkëpunim me stafin e projektit do të punojë në përputhje me Termat e Referencës për realizimin e baseline. Detyrat dhe aktivitetet specifike do të realizohen me termat e referencës si më poshtë:

1. Hartimi dhe finalizimi i metodologjisë së baseline.

2. Mbledhja e të dhënave

3. Analiza dhe shkrimi i raportit të studimit

4. Finalizimi i raportit

VI. Indikatorët e performancës

– Realizimi i kënaqshëm i të gjitha detyrave që do të realizohen në kuadër të kontratës së bashkëpunimit dypalësh.

– Dorëzimi në afatet e përcaktuara në kontratë i raportit të studimit.

– Raportim i përmbledhur i punës së realizuar dhe kohëshënuesi i punës së realizuar

VII. Kohëzgjatja e shërbimit të konsulencës

Kohëzgjatja e shërbimit do të shtrihet në periudhën 1 Korrik – 31 Gusht 2022.

VIII. Kompetencat dhe aftësitë

Vatra synon të kontraktojë një ekspert me këto specifika:

1. Të ketë punuar të paktën 3 vjet në fushën e politikave sociale për cështjet e dhunës me bazë gjinore, përfshirë trafikimin e personave.

2. Të ketë eksperienca të mëparshme, të ngjashme në realizimin e studimeve në fushën e politikave sociale për cështjet e dhunës me bazë gjinore, si edhe të mbrojtjes së viktimave te formave të ndryshme të dhunës me bazë gjinore.

3. Të jetë njohës/e i/e mirë i legjislacionit, politikave, praktikave dhe Sistemit të Mbrojtjes në Shqipëri.

4. Aftësi të mira komunikuese dhe njohëse në fushën anti-trafikim.

5. Korrektësi në zbatimin në afat dhe me efektivitet të punës.

IX. Procesi i aplikimit

Personat e interesuar duhet të dorëzojnë brenda datës 20 Qershor 2022 dorazi ose me postë, materialet si më poshtë:

1. Letër – shprehje interesi

2. Një përmbledhje të shkruar të punës që synojnë të realizojnë

3. Kopje të kartës se identitetit

4. CV – profesionale

5. Oferta financiare për realizimin detyrës

X. Procesi i përzgjedhjes

Procesi i përzgjedhjes së dokumentacionit do të realizohet nga Bordi Administrativ i Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” në bashkëpunim me stafin e projektit dhe specialistët përkatës të Qendrës.

Data të rëndësishme:

1. Mbledhja e dokumentacionit të kandidatëve deri me 20 qershor 2022

2. Shqyrtimi i dokumentacionit të kandidatëve brenda datës 22 qershor 2022

3. Njoftimi i kandidatëve fitues 24 qershor 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *