THIRRJE PËR APLIKIM

THIRRJE PËR APLIKIM

Për përzgjedhjen e një grupi ekspertësh (2 ekspertë) për zhvillimin e programit të trajnimit me bizneset, operatorët turistikë dhe institucionet vendore mbi parandalimin, identifikimin dhe referimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore

Referenca e thirrjes: VATRA 8/2026

Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, në kuadër të zbatimit të projektit “Të fshehur në vendin e punës – Rritja e përpjekjeve për t’i dhënë fund shfrytëzimit të punës dhe trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri”, të financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri përmes programit MATRA, fton grupet e ekspertëve të aplikojnë për ofrimin e shërbimit të konsulencës për hartimin dhe zhvillimin e programit të trajnimit me bizneset, operatorët turistikë dhe institucionet vendore.
Konsulenca do të realizohet në përputhje me Termat e Referencës (ToR) të publikuara nga Qendra Psiko-Sociale “Vatra”.

Qëllimi i angazhimit
Qëllimi i kësaj konsulence është angazhimi i një grupi prej dy (2) ekspertësh për hartimin e modulit të trajnimit dhe zhvillimin e një programi ngritjeje kapacitetesh për bizneset, operatorët turistikë dhe institucionet përgjegjëse, me fokus parandalimin, identifikimin dhe referimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore.
Në kuadër të këtij angazhimi do të organizohen 13 trajnime në bashki të ndryshme të Shqipërisë, sipas planit të aktiviteteve të projektit.

Kohëzgjatja e kontratës
Periudha e zbatimit të kontratës do të jetë: Tetor 2026 – Shtator 2027.
Gjatë kësaj periudhe, grupi i ekspertëve do të realizojë të gjitha produktet e parashikuara në Termat e Referencës, sipas kalendarit të dakordësuar me ekipin e projektit.

Kohëzgjatja e angazhimit
Angazhimi parashikon gjithsej 32 ditë pune, të ndara në mënyrë të barabartë ndërmjet dy ekspertëve

Shpërndarja orientuese e ditëve të punës sipas produkteve paraqitet në tabelën më poshtë.

Produkti Ditë pune (totali)
Produkti 1. Hartimi i modulit të trajnimit (metodologjia, programi, agjenda, prezantimet, ushtrimet praktike, materialet mbështetëse, pre-test dhe post-test) 4
Produkti 2. Zhvillimi i 13 trajnimeve 26
Produkti 3 dhe 4. Raporti përfundimtar i angazhimit, dokumentacioni mbështetës dhe dorëzimi i timesheet-eve 2
Totali 32 ditë pune

(Shpërndarja e ditëve është orientuese dhe mund të rishikohet në marrëveshje me Qendrën Psiko-Sociale “Vatra”, pa tejkaluar numrin maksimal prej 32 ditësh të punës.)

Kush mund të aplikojë?
Ftohen të aplikojnë grupe të përbëra nga dy (2) ekspertë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në Termat e Referencës.

Kriteret e përzgjedhjes
Grupi i ekspertëve duhet të përbëhet nga dy (2) ekspertë, ku secili ekspert duhet të plotësojë kriteret minimale të përcaktuara në Termat e Referencës. Në mënyrë të përmbledhur, secili ekspert duhet të ketë:
• Diplomë universitare në Shkenca Sociale, Psikologji, Punë Sociale, Shkenca Juridike, Shkenca Politike ose fusha të tjera të ngjashme;
• Të paktën 5 vite eksperiencë profesionale në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, të drejtave të njeriut, migracionit, mbrojtjes së fëmijëve, dhunës me bazë gjinore ose fusha të ngjashme;
• Eksperiencë të provuar në hartimin dhe zhvillimin e moduleve dhe programeve të trajnimit;
• Njohuri mbi kuadrin ligjor shqiptar dhe mekanizmat kombëtarë për identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore;
• Aftësi shumë të mira në lehtësimin e proceseve trajnuese, komunikim dhe prezantim.
Do të konsiderohet avantazh eksperienca në projekte të financuara nga donatorë ndërkombëtarë, zhvillimi i trajnimeve me sektorin privat ose operatorët turistikë, si dhe publikimet ose studimet në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore.

Kriteret e vlerësimit
Aplikimet që plotësojnë kriteret e pranueshmërisë do të vlerësohen nga Komisioni i Vlerësimit i ngritur nga Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, bazuar në kriteret e mëposhtme:

Kriteri Pikët
Eksperienca profesionale në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore dhe të drejtave të njeriut 20
Kualifikimet dhe eksperienca në hartimin dhe zhvillimin e trajnimeve 20
Cilësia e Propozimit tematik dhe metodologjik të detyrës 30
Oferta financiare 30
Totali 100

Procesi i vlerësimit do të zhvillohet në përputhje me Termat e Referencës dhe procedurat e brendshme të prokurimit të Qendrës Psiko-Sociale “Vatra”.

Dokumentacioni i aplikimit
Grupi i ekspertëve duhet të dorëzojë:
• Letër interesi;
• CV-të e të dy ekspertëve;
• Kopje të kartave të identitetit;
• Propozimin tematik dhe metodologjik të detyrës;
• Dokumentacion që dëshmon eksperiencën profesionale;
• Ofertën financiare.

Procesi i vlerësimit
Aplikimet do të shqyrtohen nga Komisioni i Vlerësimit i ngritur nga Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, në përputhje me kriteret e përcaktuara në Termat e Referencës. Vetëm aplikantët e përzgjedhur do të kontaktohen.

Afati dhe mënyra e aplikimit
Dokumentacioni i plotë i aplikimit duhet të dërgohet në adresën elektronike:
info@qendravatra.org.al me subjekt: “Aplikim – Grup ekspertësh për zhvillimin e programit të trajnimit – Referenca VATRA 8/2026”

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 7 shtator 2026, ora 16:00.
Aplikimet e dorëzuara pas këtij afati nuk do të merren në shqyrtim.

 

 

#QendraVatra #MATRA #NetherlandsEmbassy #AntiTrafficking #LabourExploitation #HumanTrafficking #CapacityBuilding #Albania

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *