Terma refence për pozicionin Avokate

Të rejat

Terma refence për pozicionin Avokate

Pozicioni i punës: Avokate
Koha e punës:Punë me kohë të plotë

Data e mundshme për fillimin e punës:Tetor 2023

Në kuadër të projektit “Ofrimi i ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti, për kategoritë përfituese të ligjit Nr.111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, Qendra Psiko-Sociale “Vatra” kërkon të punësojë 1 avokat/e (me kohë të plotë) për ofrimin e shërbimit ligjor parësor për kategoritë përfituese sipas Ligjit nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga Shteti”.

Informacion i përgjithshëm për organizatën:

Qendra Psiko-Sociale “Vatra” është një organizatë shqiptare jofitimprurëse me seli në Vlorë, e cila ka si mision parandalimin e trafikimit të qënieve njerëzore dhe dhunës në familje e shoqëri, mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të viktimave të këtyre fenomeneve nëpërmjet zbatimit të programeve të informimit, edukimit, advokimit dhe shërbimeve sociale rezidenciale dhe komunitare.

Qendra “Vatra” ka filluar aktivitetin e saj si institucion prej vitit 1999. Është regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Vlorë me vendim 693, dt. 02.10.2001 dhe e riregjistruar pranë Gjykatës së Rrethit, Tiranë, me nr. 211 Akti, datë 17.01.2005, liçencuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit me dy licenca, përkatësisht: “Qendër Shërbimsh Komunitare” dhe “Qendër Shërbimesh Rezidenciale”.

Fushat e veprimtarise së Qendrës “Vatra” janë:

Parandalimi i trafikimit të qenieve njerëzore, dhunës në familje dhe problemet që gjenerojnë këto fenomene;
Rehabilitimi dhe riintegrimi i viktimave të trafikimit njerëzor dhe dhunës në familje;
Ngritja e kapaciteteve për përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe jo shtetërorë në lidhje me çështje të trafi kimit njerëzor dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave;
Lobimi dhe advokimi në mbrojtje të drejtave të grave, vajzave dhe fëmijëve.

Informacion mbi kryerjen e punës:

Avokati/ja do të punojë pranë Klinikës Ligjore të Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” dhe do të ofrojë shërbim ligjor parësor për kategoritë përfituese sipas Ligjit nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga Shteti”.

Shërbimi do të ofrohet edhe pranë strehëzës së Qendrës “Vatra” për gratë, vajzat dhe fëmijët që janë akomoduar në këtë institucion.

Cështjet ligjore do të ndiqen jo vetëm në Qarkun e Vlorës por edhe në qarqe të tjera sipas nevojave specifike të përfituesve që asistohen.

Avokati/ja do të mbajë kontakte të ngushta me institucionet ligjzbatuese (Polici, Prokurori, Gjykatë. Zyra Përmbarimi, etj.) dhe ofrues të tjerë shërbimesh.

Përgjegjësitë kryesore të punës do të jenë:
Vlerësim i nevojave të rasteve që kërkojnë shërbim ligjor;
Ofrim i shërbimit ligjor parësor, sipas specifikës së çështjeve;
Referim i përfituesve të shërbimit në institucionet e tjera ligjzbatuese, sipas nevojës;
Përgatitje e dosjes së përfituesve me të gjithë dokumentacionin përkates;
Hedhje e të dhënave në databazën e projektit;
Kontribut në aktivitetet për parandalim të trafikimit, sensibilizim të publikut që organizata realizon;
Kontribut në përgatitjen e raporteve narrative progresive dhe finale të projektit dhe organizatës.

Kandidatët duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:

Të kenë përfunduar studimet për drejtësi, të barazvlefshme me sistemin Bachelor plus Master;
Të jenë pajisur me licensën e avokatit/es;
Të kenë eksperiencë pune në ushtrimin e profesionit të avokatit;
Të njohin programet bazë të kompjuterit;
Të kenë njohuri të gjuhës angleze.

 

Preferohen:

Të kenë pasur eksperiencë si avokat/e në çështje të trafikimit të qenieve njerëzore, çështje familjare dhe të dhunës me bazë gjinore;
Të kenë pasur eksperiencë pune pranë organizatave jofitimprurëse që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut.
Në përputhje me Nenin 142/2 të Kodit të Punës, të ndryshuar, muaji i parë i punës do të konsiderohet si kohë prove.

Me qëllim aplikimin në këtë pozicion, kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentacionin si vijon:

CV e kanditatit/es;
Kopje të Diplomës, të shoqëruar me kopje të listës së notave të studimeve Bachelor dhe Master, ose ekuivalente me to;
Dëshmia e licencës së Avokatit/es;
Letër për shprehje interesi;
Dokument që provon njohuritë e gjuhës angleze;
Çdo dokument të nevojshëm që tregon kualifikimet e kandidatit/es.

Afati i fundit i aplikimeve do të jetë data 5 Tetor 2023, ora 12:00.

Dokumentacioni mund të dërgohet i skanuar në adresën e emailit info@qendravatra.org.al ose të depozitohet pranë zyrave të Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” me adresë: lagjia: “Isa Boletini”, rruga: “Nermin Vlora Falaski”, pallati nr. 13, Shk I, kati 3, Vlorë, Albania.

Vetëm kandidatët që plotësojnë kriteret do të njoftohen dhe thirren në intervistë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *