Rreth Nesh

Qendra Psiko-Sociale “Vatra” është një organizatë shqiptare jofitimprurëse, e cila ofron shërbime dhe ekspertizë për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje e shoqëri. Qendra Psiko-Sociale “Vatra” ka filluar aktivitetin e saj si organizatë qysh prej vitit 1999. Është e regjistruar si një organizatë jofitimprurëse, fillimisht pranë Gjykatës së rrethit Vlorë me vendim 693, dt. 02.10.2001 dhe më vonë e riregjistruar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, nr. Akti 211, datë 17.01.2005. Qendra Psiko–Sociale Qendra Sociale “Vatra” është e pajisur me dy licensa nga Qendra Kombëtare e Liçensimit respektivisht për ofrimin e shërbimeve rezidenciale dhe atë komunitare.

Qendra Psiko-Sociale “Vatra” ka si mision parandalimin e trafikimit njerëzor, dhunës në familje dhe me bazë gjinore, mbrojtjen dhe fuqizimin social dhe ekonomik të viktimave të këtyre fenomeneve në Shqipëri nëpërmjet informimit, edukimit, advokimit dhe shërbimeve sociale rezidenciale dhe komunitare.

Qendra Psiko-Sociale “Vatra” ka një staf prej 29 profesionistësh (24 me kohë të plotë dhe 5 me kohë të pjesshmë) të përbërë nga punonjës socialë, një psikolog, një mësues, një mjek/infermier, avokatë, një specialist për formimin profesional dhe punësimin, menaxherë financiar dhe administrativ, punonjës logjistike etj. Pranë Vatrës janë angazhuar dhe 15 vullnetarë të cilët kontribuojnë në realizimin e aktiviteteve dhe shërbimeve të Vatrës. Qendra Psiko-Sociale “Vatra” drejtohet nga një Bord i jashtëm, i përbërë nga 5 anëtarë, të cilët janë përfaqësues të institucioneve të edukimit, shoqërisë civile, biznesit, media etj.

1999

Nga viti 1999 e në vazhdim, Qendra Psiko-Sociale “Vatra” ka zbatuar një sërë projektesh me fokus informimin dhe ndergjegjësimin e komunitetit rreth trafikimit njerëzor dhe dhunës, shërbimeve direkte për të mbijetuarit e këtyre fenomeneve, rritjes së kapaciteve të strukturave antitrafikim dhe kundër dhunës, lobim e advokim. Prej këtij viti më shumë se 38 mijë anëtarë të komunitetit dhe strukturave lokale kanë marrë pjesë në aktivitetet informuese e ndërgjegjësuese si dhe aktivitetet për rritjen e kapaciteteve.

2001

Në vitin 2001 Qendra Psiko-Sociale “Vatra” me mbështetje të Organizatës “Save The Children”, zgjeroi aktivitetin e saj me ngritjen e të parës Strehëz në Shqipëri (e cila, aktualisht, vazhdon aktivitetin e saj dhe sot), për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e grave, vajzave viktima të trafikimit njerëzor të huaja dhe shqiptare.

Lexo më shumë

Që nga themelimi i saj, “Vatra” ka asistuar 2659 viktima/viktima të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore (2617 gra dhe vajza dhe 62 burra dhe djem), 2190 viktima të abuzimit seksual , dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore (1929 gra dhe vajza dhe 261 burra dhe djem) dhe 761 fëmijë të viktimave të të gjitha formave të dhunës dhe trafikimit.

 

Që nga viti 2001, 10 viktima të trafikimit të qenieve njerëzore (njëra prej tyre me fëmijën e saj) janë mbështetur nga Vatra për t’u përfshirë në programet e mbrojtjes së dëshmitarëve të agjencive ndërkombëtare dhe një viktimë tjetër në vitin 2018 është mbështetur për t’u përfshirë në programin kombëtar për mbrojtjen e dëshmitarëve financuar nga qeveria shqiptare.

2004

Në vitin 2004 me mbështetjen financiare të IREX, USA, Vatra ka krijuar Rrjetin e parë Antitrafik të Institucioneve Lokale i cili është vlerësuar dhe ndjekur si model nga qeveria shqiptare në 2006. Kështu, në maj 2006 Qeveria Shqiptare krijoi Komitetet Rajonale të Antitrafikimit në 12 rrethe të Shqipërisë, të përbërë nga institucione lokale dhe OJF.

2005

Prej vitit 2005, Vatra është një prej firmëtareve të para të Marrëveshjes së parë Mekanizmit Kombëtar të Referimit për viktimave të trafikimit njerëzor e cila u nënshkrua nga një sërë institucioneve kombëtare qëndrore dhe organizata ndërkombëtare. Vatra vijon të jetë anëtare nënshkruese e kësaj marrëveshje si dhe anëtare e mekanizmave lokalë të mbrojtjes së viktiamve të trafikimit njerëzor dhe dhunës me bazë gjinore.

 

2018

Në vitin 2018, Vatra, me mbështetjen financiare të Komisionit Evropian përmes Save the Children, ka krijuar Klinikën e parë Ligjore në Shqipërinë e Jugut e cila ofron mbështetje dhe ndihmë ligjore dhe psikologjike për viktimat e trafikimit dhe dhunës me bazë gjinore. Çdo vit Klinika Ligjore ndihmon më shumë se 300 viktima të trafikimit, abuzimit seksual dhe dhunës me bazë gjinore dhe fëmijëve të tyre.