Për furnizimin dhe instalimin e mobilimit të ambienteve të Qendrës Psiko-Sociale “Vatra”

Projekti: “Enhancing Infrastructure and Operational Capacity of Vatra Psycho-Social Center”

Organizata zbatuese: Qendra Psiko-Sociale “Vatra”

Donatori: RoAid – Romanian Agency for International Development Cooperation

Vendi i realizimit: Vlorë, Shqipëri

Fondi i parashikuar: 10,000 EUR

1. Informacion i përgjithshëm

Qendra Psiko-Sociale “Vatra” është një organizatë jofitimprurëse që ofron shërbime të specializuara për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore, viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe grupet në nevojë. Organizata zhvillon veprimtarinë e saj në nivel kombëtar, duke ofruar shërbime rehabilituese, riintegruese, psikosociale, ligjore dhe mbështetje për fuqizimin social dhe ekonomik të përfituesve.

Në kuadër të projektit “Enhancing Infrastructure and Operational Capacity of Vatra Psycho-Social Center”, mbështetur financiarisht nga RoAid, Qendra “Vatra” synon përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të punës në ambientet e saj administrative dhe të këshillimit në qytetin e Vlorës.

Një nga ndërhyrjet kryesore të projektit është mobilimi dhe organizimi funksional i zyrave, ambienteve të përbashkëta dhe hapësirave të përdorura për takime, këshillim dhe koordinim institucional.

2. Qëllimi i prokurimit

Qëllimi i kësaj procedure është përzgjedhja e një operatori ekonomik të kualifikuar, nga tre oferta të mundshme, për furnizimin, transportin, montimin dhe instalimin e mobilimit të nevojshëm për ambientet e Qendrës Psiko-Sociale “Vatra”.

Mobilimi synon krijimin e ambienteve funksionale, të sigurta dhe të përshtatshme për punën e stafit, administrimin e dokumentacionit konfidencial, zhvillimin e takimeve dhe ofrimin e shërbimeve për përfituesit.

3. Objekti dhe specifikimet e furnizimit

Furnizimi do të përfshijë mobilimin e ambienteve të përbashkëta dhe zyrave individuale, sipas kategorive të mëposhtme:

Nr.
Përshkrimi i mobilimit
Specifikimet e përgjithshme
1- Tavolinë zyre (desk/takime)
1 Tavolinë funksionale, me sipërfaqe të përshtatshme për punë dhe realizim takimesh (Zyra Drejtore Ekzekutive)
2- Tavolina pune me ndarëse
6 tavolina me ndarëse për garantimin e privatësisë dhe sirtarë për organizimin e hapësirave të punës (Salla)
3- Dollapë për dokumentacion
Dollapë me rafte dhe kanata për ruajtjen e dokumentacionit administrativ dhe konfidencial (Zyra Drejtore Ekzekutive)
4- Mobilim për hollin dhe ambientet e përbashkëta
Raft multifunksional me hapësira për vendosjen e materialeve informuese (Salla)
5- Tavolinë për mbledhje
Tavolinë me përmasa të përshtatshme për zhvillimin e mbledhjeve dhe takimeve në grup (Salla)
6- Karrige për sallën e mbledhjeve
25 karrige, të qëndrueshme dhe të përshtatshme për takime (Salla)
7- Karrige rrotulluese për zyrat
4 karrige ergonomike, me rregullim të lartësisë dhe mbështetje për shpinën
Sasitë përfundimtare, përmasat dhe konfigurimi i mobilimit, përveç sasive të përcaktuara shprehimisht, do të detajohen në listën teknike të furnizimit, pas verifikimit të ambienteve përkatëse.

4. Kërkesat teknike dhe të cilësisë

Mobilimi i ofruar duhet të përmbushë kërkesat e mëposhtme:

Të jetë i ri, i papërdorur dhe me cilësi të përshtatshme për përdorim institucional.
Të jetë i prodhuar nga materiale rezistente, të qëndrueshme dhe lehtësisht të mirëmbajtshme.
Të garantojë siguri dhe funksionalitet gjatë përdorimit të përditshëm.
Të përshtatet me hapësirat ekzistuese të Qendrës.
Dollapët për dokumentacionin konfidencial të kenë mekanizma funksionalë mbylljeje me kyç.
Karriget e punës të ofrojnë kushte të përshtatshme ergonomike.
Ngjyrat dhe modeli përfundimtar i mobilimit të miratohen paraprakisht nga Qendra “Vatra”.
Të përfshihet montimi dhe instalimi i plotë në ambientet e përcaktuara.
Operatorët ekonomikë mund të realizojnë një vizitë paraprake në ambientet e Qendrës për marrjen e përmasave dhe vlerësimin e kushteve të instalimit.

5. Detyrimet e operatorit ekonomik

Operatori i përzgjedhur do të jetë përgjegjës për:

Verifikimin e përmasave dhe kushteve të ambienteve ku do të vendoset mobilimi.
Paraqitjen e specifikimeve dhe modeleve të mobilimit për miratim.
Furnizimin me mobilim sipas specifikimeve dhe sasive të miratuara.
Transportin, shkarkimin, montimin dhe instalimin në ambientet e Qendrës.
Garantimin e cilësisë dhe funksionalitetit të produkteve.
Zëvendësimin ose riparimin e produkteve që rezultojnë me defekte apo që nuk përputhen me specifikimet e dakordësuara.
Dorëzimin e faturës dhe dokumentacionit përkatës të furnizimit.

6. Afati i dorëzimit të ofertave

Për realizimin e procedurës së këtij prokurimi Qendra Psiko-Sociale Vatra duhet të sigurojë deri në tre oferta të cilat duhet të dorëzohen pranë zyrave të organizatës brenda datës 30.08.2026, brenda 30 ditëve pas publikimit të Termave të Referencës në website.
Pas vleresimit të ofertave do të behet përzgjedhja e ofertës më të mirë dhe do të njoftohet subjekti i përzgjedhur për të vijuar me punën në ambientet e organizatës.

Njoftim për shtyrje të afatit të aplikimit për shkak të mungesës së ofertave.

Të gjithë aplikantët e interesuar për të dërguar propozimet e tyre lidhur me këto Terma Reference do të kenë afat deri më datë 30.09.2026.

7. Dokumentacioni i kërkuar nga ofertuesit

Operatorët ekonomikë të interesuar duhet të paraqesin:

Ofertën financiare të detajuar sipas artikujve, sasive dhe çmimeve për njësi.
Përshkrimin teknik të produkteve dhe materialeve të propozuara.
Fotografitë, katalogët ose modelet e mobilimit, kur janë të disponueshme.
Afatin e propozuar për furnizim dhe instalim.
Kushtet e garancisë.
Dokumentacionin që vërteton regjistrimin e operatorit ekonomik dhe të drejtën për ushtrimin e aktivitetit.
Oferta financiare duhet të përfshijë të gjitha kostot e furnizimit, transportit, montimit dhe instalimit, duke identifikuar qartë trajtimin e TVSH-së.

 

8. Kriteret e vlerësimit

Vlerësimi i ofertave do të mbështetet në:

Përputhshmërinë me specifikimet teknike.
Cilësinë dhe qëndrueshmërinë e materialeve.
Çmimin e përgjithshëm të ofertuar.
Afatin e furnizimit dhe instalimit.
Kushtet e garancisë dhe shërbimit pas shitjes.
Eksperiencën e operatorit në furnizime të ngjashme.
Përzgjedhja do të realizohet në përputhje me procedurat e brendshme të prokurimit të Qendrës “Vatra” dhe kërkesat e donatorit.

9. Dorëzimi dhe pranimi i furnizimit

Furnizimi do të konsiderohet i përfunduar pas dorëzimit, montimit dhe verifikimit të mobilimit nga përfaqësuesit e autorizuar të Qendrës “Vatra”.

Pranimi do të dokumentohet përmes procesverbalit përkatës, në të cilin do të konfirmohet përputhshmëria e produkteve me kërkesat teknike dhe kontraktuale.

10. Kushtet e pagesës

Pagesa do të realizohet sipas kushteve të përcaktuara në kontratë, pas dorëzimit të dokumentacionit financiar dhe verifikimit të furnizimit, në përputhje me procedurat financiare të Qendrës “Vatra” dhe kërkesat e donatorit.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *