Njoftim për ekspertë në realizimin e trajnimeve mbi trafikimin me anëtarë të KRAT-eve

Terma reference

 

Detyrë afatshkurtër –Ekspertizë për realizimin e Trajnimeve me Komitetet Rajonale Antitrafikim/ Tryezat Teknike në 6 Qarqe të Shqipërisë

 

I. Hyrje

 

Qendra Psiko-Sociale “Vatra” është një organizatë shqiptare jofitimprurëse, e cila ofron shërbime dhe ekspertizë për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje e shoqëri. Qendra Psiko-Sociale “Vatra” ka filluar aktivitetin e saj si institucion që prej vitit 1999. Kjo qendër ka si misionparandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe dhunës në shoqëri, mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të viktimave të këtyre fenomeneve nëpërmjet programeve të informimit, edukimit, advokimit dhe shërbimeve sociale rezidenciale dhe komunitare. Grupet e synuara të mbështetura nga Qendra Psiko-Sociale “Vatra” përfshijnë shtresat në nevojë, veçanërisht gratë, vajzat, të rinjtë dhe fëmijët.

Për më tepër shih. http://www.qendravatra.org.al/

II. Projekti për të cilin po kërkohet shërbimi

Shërbimi kërkohet në zbatim të programit te Qendres Psiko-Sociale “Vatra” “Fuqizimi i asistencës riintegruese për ish viktimat e trafikimit njerëzor, dhunës në familje dhe abuzimit seksual në Shqipëri”.

Duke ndjekur një qasje sistemike, programi kontribuon në përmirësimin e sistemit të mbrojtjes për viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit (VeT/VMT), nëpërmjet trajnimeve, ndarjes së ekspertizës me synim nxitjen e bashkëpunimit dhe koordinimit mids aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë anti-trafikim, në nivel kombëtar dhe lokal dhe do të rritë kapacitetet e këtyre aktorëve për një implementim sa më të mirë dhe efektiv të legjislacionit kombëtar, politikave dhe praktikave, për një riintegrim të suksesshëm social të VeT/VMT.

III. Background

Fenomeni i trafikimit njerëzor mbetet problemi më shqetësues me të cilin shoqëria përballet sot. Situata e vështirë ekonomike, ashtu si edhe varfëria ekstreme në rritje, përfshirë shtresat e ndryshme të popullsisë në vend, vazhdojnë të mbajnë gjallë dhe të ushqejnë të gjitha llojet e trafikimit dhe abuzimit.

TIP Raporti i vitit 2018 e rendit Shqipërinë në Tier 2, duke e cilësuar si një vend burimi dhe tranziti për burra, gra dhe fëmijë objekt të trafikimit seksual dhe punës së detyruar.

Trafikimi njerezor ka impakt të drejtperdrejtë në gjithë situatën e ish viktimave. Ato vuajnë nga pasojat afatgjata mbi shëndetin fizik dhe mendor, në perceptimin psikologjik të vetes dhe të tjerëve, etj.

Pasojat janë po ashtu të lidhura me strehimin, zhvillimin personal, edukimin dhe aftësitë profesionale, organizimin e jetës familjare gjë e cila ndikon në pozitën e tyre socio-ekonomike dhe përjashtimin social.

Nga analizat e bëra për fenomenin e trafikimit njerëzor, “Vatra” ka vlerësuar se rreth: 70% e tyre ndihen të pambrojtura, të stigmatizuara dhe të refuzuara nga familja dhe pjesetarët e komunitetit të origjinës, 80% e tyre vuajnë nga infeksione seksualisht të trasmetueshme, rreth 70% e tyre vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.

Viktimat e trafikimit kanë vetëvlerësim më të ulët dhe kanë mungesë besimi kundrejt ofruesve të shërbimeve dhe njerëzve të tjerë, nivel më të ulët motivimi dhe aftësish komunikative. Duke qënë se formimi profesional dhe edukativ është më i kufizuar (rreth 80% e ish viktimave kanë nivel të ulët edukimi), mundësitë për progresin e tyre socio-ekonomik janë më të limituara.

Mekanizmi kombëtar anti-trafikim dhe planet e veprimit janë ekzistente, legjislacioni është përmirësuar, por implementimi efektiv i tyre mbetet një problem për shkak të: mungesës së shërbimeve, mungesës së kapaciteteve të grupeve të interesit lokalë, antitrafikim, mungesës së koordinimit midis këtyre institucioneve. Në këtë mënyrë nevojat e viktimave për strehim, punësim, edukim etj nuk adresohen në mënyrën e duhur.

Pavarësisht angazhimit të institucioneve qëndrore dhe lokale për të bashkëpunuar me Vatrën dhe organizata të tjera në mbështetje të VeT/VeMT është vlerësuar se kapacitetet e tyre, veçanërisht në identifikim, referimi dhe mbrojtja e rasteve jenë të kufizuara.

Kjo ndodh për shkak se: 1. Punonjësit e trajnuar zëvendësohen nga punonjës të rinj të cilët kanë nevojë për mbështetje për të identifikuar dhe referuar rastet drejt shërbimeve sipas Procedurave Standarde të Operimit.

2. Mbështetja financiare për shërbimet nga shteti është i limituar dhe ka një mungesë të mbështetjes së koordinuar dhe menaxhimit të rasteve nga ana e punonjësve, ofruesit e shërbimit përgjegjës për mbrojtjen sociale të VeT/VeMT.

3. Aktivitetet parandaluese nuk mbështeten nga shteti, por vetëm nga Organizatat e Shoqërisë Civile, që zhvillojnë fushata ndërgjegjësuese me komunitetin nëpërmjet projekteve të tyre.

Duke kosideruar situatën më sipër dhe nga cfarë është përcaktuar në Planin Kombëtar Antitrafikim të Veprimit, detyrimet e specifikuara në marrëveshjen kombëtare të MKR-së, Procedurat Standarde të Operimit për identifikim, referimin dhe mbrojtjen e VeT/VeMT, në mbështetje të misionit të Vatrës dhe në kuadër të këtij projekti do të synohet në vecanti:

– Ngritja e kapaciteteve për institucionet lokale dhe OJF-të, anëtarë të Tavolinës Teknike të Komitetit Rajonal Antitrafikim (i cili do të realizojë në bashkëpunim me Minsitrinë e Brendshme/ Zyrën e Koordinatorit Kombetar Antitrafik e cila është një nga një nga partnerët kryesorë në nivel qëndror. Komiteti Rajonal Antitrafikim, është një strukturë kyce e Mekanizmit Kombetar të Referimit në nivel lokal dhe ato janë të mbikëqyrura nga Zyra e Koordinatorit Antitrafik.

IV. Shërbimi I kërkuar

 

Ne kuader te programit, Qendra Vatra kerkon te kontraktoje eksperte për ofrimin e ekspertizës në realizimin e 12 trajnimeve që do të zhvillohen me anëtarë të KRAT-eve në Qarqet: Lezhë, Shkodër, Kukës, Fier, Berat dhe Elbasan.

Metodologjia e trajnimeve do të bazohet në të mësuarin praktik, bazuar në burimet e çdo njësie dhe e përshtatur në cdo strukturë. Eksperti/et do të zhvillojnë dhe udhëheqin cështjet kryesore, duke përdorur module të prodhuara, studime rasti, punë në grupe dhe feedback nga pjesëmarrësit.

Eksperti/et në bashkëpunim me ekspertë të tjerë të Vatrës, do të punojë për draftimin dhe finalizimin e modulit të trajnimeve, të fokusuar në tematikën e mëposhtme:

1. Zhvillimi i Planeve vjetore te Veprimit në mbeshtetje të Planit Kombëtar të Veprimit Anti-trafikim 2018-2020.

2. Njohja me Standardet e Veprimit për Identifikimin dhe Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit/viktimave të mundshme të trafikimit.

3. Zhvillimi i praktikave më të mira, në menaxhim rasti, vlerësimin e nevojave dhe adresimin e tyre për marrjen e shërbimeve për VeT/VMT.

Eksperti/et së bashku me ekspertë të brendshëm të stafit të Vatrës, do të realizojnë 12 ditë trajnime me anëtarë të KRAT-eve Tryezave Teknike, të rretheve të përshkruara më sipër, si edhe do të punojë për vlerësimin e trajnimeve.

V. Përgjegjësitë:

Eksperti/et do të punojnë në përputhje me metodologjinë e hartuar nga stafi i projektit. Detyrat dhe aktivitetet e tyre specifike do të realizohen me termat e referencës si më poshtë:

· Draftimi dhe finalizimi i moduleve të trajnimeve

· Drejtimi i 12 seancave trajnimesh në Lezhë, Shkodër, Kukës, Fier, Berat dhe Elbasan

· Vlerësimi i trajnimeve

· Raporti i vlerësimit të trajnimeve

VI. Indikatorët e performancës

– Realizimi i kënaqshëm i të gjitha detyrave që do të realizohen në kuadër të kontratës së bashkëpunimit dypalësh.

– Dorëzimi në afatet e përcaktuara në kontratë i moduleve të trajnimeve dhe raportit përfundimtar të vlerësimit të trajnimeve.

VII. Kohëzgjatja e shërbimit të konsulencës

Kohëzgjatja e shërbimit është Mars – Qershor 2019 – 16 ditë pune

VIII. Konfidencialiteti

Eksperti/et merr/ marrin në ngarkim realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të dhëna me drejtësi, përgjegësi dhe konfidencialitet, në përputhje me standardet e sjelljes së organizatës, veçanërisht në lidhje me përdorimin dhe mbrojtjen e informacionit dhe integritetit personal dhe profesional.

IX. Kompetencat dhe aftësitë

Vatra synon të kontraktojë nje ose dy eksperte (ne rast se jane dy eksperte duhet te dorezojne nje oferte te perbashket) të fushës së Mbrojtjes se Fëmijëve me këto specifika per secilin prej tyre:

Të ketë punuar të paktën 5 vjet në fushën e Mbrojtjes se të Drejtave të Viktimave të Trafikimit/viktimave të mundshme të trafikimit
Të ketë eksperienca të mëparshme, të ngjashme me shërbimin e kërkuar
Të jetë njohës/e i/e mirë i legjislacionit, politikave dhe Sistemit të Mbrojtjes të Viktimave të Trafikimit në Shqipëri.
Aftësi të mira komunikuese, redaktuese.
Korrektësi në përmbushjen në afat të përgjegjësive të marra.
X. Procesi i aplikimit

Personat e interesuar duhet të dërgojnë brenda datës 23 Mars 2019 në adresën e emailit zyrtar të Vatrës: info@qendravatra.org.al, materialet si më poshtë: (ne rast se jane dy eksperte, perdorin te njejten oferte, plan dhe shprehje interesi)

Letër – shprehje interesi
Një plan të detajuar të metodologjisë që do të ndjekë për realizimin e ekspertizës
Ofertën financiare të shërbimit që kërkon të realizojë
Kopje të kartës se identitetit
CV – profesionale
Referenca- punë të mëparshme të realizuara.
Qendra “Vatra” brenda datës 25 Mars 2019 do të njoftojë për procesin e përzgjedhjes së ofertës më të përshtatshme.

XI. Procesi i përzgjedhjes

Procesi i përzgjedhjes së dokumentacionit do të realizohet nga Bordi Administrativ i Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” në bashkëpunim me stafin e projektit dhe specialistët (menaxherë rasti) përkatës të Qendrës. Data të rëndësishme:

Dërgimi i dokumentacionit të aplikimit deri ne 23 Mars 2019
Njoftimi i kandidat eve fitues 2 5 Mars 2019
 

Fillimi i punës së kandidateve të përzgjedhur me dt 28 Mars 2019

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *