Konsulencë /ekspertizë për realizimin e një studimi me shtrirje kombëtare, me Temë: “Aksesi dhe cilësia e shërbimeve për Viktimat/viktimat e Mundshme të trafikimit në Shqipëri” dhe për draftimin e broshurave për institucionet përgjegjëse për identifikimin

Konsulencë /ekspertizë për realizimin e një studimi me shtrirje kombëtare, me Temë: “Aksesi dhe cilësia e shërbimeve për Viktimat/viktimat e Mundshme të trafikimit në Shqipëri” dhe për draftimin e broshurave për institucionet përgjegjëse për identifikimin dhe mbrojtjen e VeT/VMT

 

 

I. Hyrje

 

Qendra Psiko-Sociale “Vatra” është një organizatë shqiptare jofitimprurëse, e cila ofron shërbime dhe ekspertizë për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje e shoqëri. Qendra Psiko-Sociale “Vatra” ka filluar aktivitetin e saj si institucion që prej vitit 1999. Kjo qendër ka si misionparandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe dhunës në shoqëri, mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të viktimave të këtyre fenomeneve nëpërmjet programeve të informimit, edukimit, advokimit dhe shërbimeve sociale rezidenciale dhe komunitare. Grupet e synuara të mbështetura nga Qendra Psiko-Sociale “Vatra” përfshijnë shtresat në nevojë, veçanërisht gratë, vajzat, të rinjtë dhe fëmijët.

Për më tepër shih. http://www.qendravatra.org.al/

 

II. Projekti për të cilin po kërkohet shërbimi

Shërbimi i ekspertit/kërkues kërkohet në zbatim të projektit “Rritja e efektivitetit të sistemit të mbrojtjes, për një përgjigje sa më të mirë ndaj viktimave të trafikimit në Shqipëri” financuar nga Fondacioni Katolik Europian.

Nëpërmjet këtij projekti synohet fuqizimi i sistemit të mbrojtjes për viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit, synim që do të realizohet nëpërmjet vleresimit të aksesit për shërbime dhe kuadrit ligjor në Shqipëri, si edhe fuqizimit të kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve për zbatimin e legjislacionit, politikave sociale dhe praktikave më të mira për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit.

III. Background

Fenomeni i trafikimit të personave mbetet një shqetësim për shoqërine shqiptare dhe autoritetet të cilat pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, ende përballen me sfida të cilat kufizojne reagimin eficent dhe të qëndrueshëm ndaj këtij fenomeni. Situata e vështirë ekonomike, ashtu si edhe varfëria ekstreme në rritje, përfshirë shtresat e ndryshme të popullsisë në vend, vazhdojnë të mbajnë gjallë dhe të ushqejnë të gjitha llojet e trafikimit dhe abuzimit.

Gjatë 2019, 38 raste të reja viktima/viktima të mundshme të trafikimit u identifikuan nga agjensi të ndryshme shtetërore dhe joshtetërore dhe u mbështetën me shërbime rehabilitimi dhe riintegrimi nga qendra psiko-sociale Vatra. 81% e rasteve të asistuara nga Vatra gjatë 2019[1], u trafikuan për shfrytëzim seksual; 10% për lypje; 3% për kryerjen e akteve të ulta kriminale (vjedhje, shpërndarje droge); 3% për punë të detyruar dhe 3% në forma të përziera shfrytëzimi.

92% e rasteve të reja të mbështetura me shërbime gjatë 2019 ishin gra dhe vajza dhe 8% djem dhe burra. Djemtë u shfrytëzuan kryesisht për kryerjen e akteve të ulta kriminale, lypje dhe punë të detyruar. 94% e rasteve u shfrytëzuan brenda Shqipërisë dhe 6 e tyre u shfrytëzuan jashtë vendit. 60% ishin minorenë brenda grupmoshës 11 – 17 vjec; 21% të rinj që I përkisnin grupmoshës 18 – 25 vjec; 19% të grupmoshës mbi 26 vjec. Më shumë se 60% e rasteve të asistuara në program ishin minorenë në kohën kur u rekrutuan dhe u shfrytëzuan në trafikim.

Evidencat e dhëna nga viktimat e mbijetuara të trafikimit, tregojnë që shumë faktorë të cilët rrisin shkallën e cënueshmërisë drejt trafikimit janë të lidhur me varfërinë, dhunën në familje, abuzimin e fëmijëve dhe neglizhimin, migrimin e pasigurt dhe të parregullt, vlerat dhe normat familjare dhe komunitare, mundësitë e pamjaftueshme për punë, kryesisht për gratë, cënueshmëria mendore, etj.

Evidencat tregojnë se viktimat e mbijetuara vuajnë nga probleme të shëndetit fizik dhe mendor, mungesa e strehimit, zhvillimit personal, mungesa e edukimit dhe shprehive profesionale, marrëdhëniet në familje, të cilat prekin në mënyrë domethënëse pozicionin e tyre të pafavorshëm social – ekonomik si edhe shtyjnë drejt përjashtimit social.

Që prej 1999 Vatra ka kontribuar në mbështetjen direkte të viktimave të trafikimit me shërbime, ka kontribuar në zhvillimin e politikave dhe ngritjes së kapaciteteve të ofruesve të shërbimit dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, për të mbështetur viktimat e trafikimit. Vatra ka krijuar instrumenta vlerësimi për sistemin anti-trafikim dhe në mënyrë të vazhdueshme ka shërbyer si burim informimi dhe udhëheqje për përpjekjet anti-trafikim në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, ka kërkime të limituara në drejtim të asaj që ndryshimet e herë pas herëshme të “profileve të reja”, reflektojnë situatën reale të kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve në drejtim të identifikimit dhe mbrojtjes së viktimave të trafikimit. Numri I viktimave të trafikimit të identifikuara dhe më pas të mbrojtura nga institucionet e zbatimit të ligjit, shëndetit, arsimit, punësimit, inspektoriatet e punës, administratorët sociale dhe punonjësit për mbrojtjen e fëmijëve, vazhdon të jetë shumë i ulët.

IV. Shërbimi i kërkuar

 

Shërbimi I ekspertit/kërkuesit, kërkohet për dy qëllime:

1. Realizimin e një studimi në shkallë kombëtare, për të eksploruar situatën dhe për të gjeneruar rekomandime në lidhje me ofrimin e shërbimeve për viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit dhe monitorimin e tyre. Audienca e synuar për kërkimin do të jenë agjensitë dhe institucionet, përgjegjës për ofrimin e shërbimeve dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, institucionet politikëbërëse, agjensitë monitoruese, si edhe donatorët që mbështesin shërbimet.

2. Draftimin e 7 fletëpalosjeve me treguesit për identifikimin dhe hapat për mbrojtjen e VeT/VMT (Policia e Shtetit dhe Policia e Kufirit, Strukturat e tjera të Policisë, Shërbimi Social Shtetëror, Strukturat e Mbrojtes sociale në Bashki dhe NJMF/ Punonjësit e Mbrojtjes së Fëmijëve, Inspektoriatin Shtetëror të Punës, Institucionet e Sistemit Arsimor, Institucionet e Kujdesit Shëndetsor)

Në lidhje me studimin: Vatra konsideron që variablat e mundshëm, të cilat mund të eksplorohen duhet të përfshijnë (mund të konsiderohen edhe të tjera): a) përdorimi i profilit të viktimave dhe profilit të trafikantëve në zhvillimin e programeve; b) përdorimi i modeleve të strukturave të rehabilitimit dhe riintegrimit; c) pjesëmarrja e përdoruesve të shërbimeve në vendimet për shërbimet; d) roli I shtetit – ndarja e përgjegjësive; e) integrimi me mbrojtjen e grupeve të tjera; f) kostot e shërbimit dhe burimet financiare; g) përdorimi I të dhënave dhe “inteligjencës” gjatë mbrojtjes; gj) shkalla e interesit dhe vullnetit gjatë procesit të mbrojtjes; h) roli parandalues I ofruesve të shërbimeve; i) marrëdhëniet e sistemit të mbrojtjes gjatë procesit të hetimit të trafikantëve; j) mbrojtja e vet ofruesve të shërbimeve, etj.

Kërkimi synon të orientojë studimin drejt pyetjeve të mëposhtëme, por jo vetëm:

a)Cili është profili aktual i viktimave?

b) A kemi sherbime qe i pergjigjen profilit?

c) Cilat jane modelet qe perdorim dhe a mund te pershtaten me ndryshimin e tendencave?

d)Si janë të përcaktuara rolet e agjensive shtetërore dhe jo-shtetërore?

Kërkuesi që do të përzgjidhet, pritet të zhvillojë një metodologji konsultimi dhe mbledhje të të dhënave, të paktën nga 5 grupe interesi: Grupi 1: Viktimat e mbijetuara të trafikimit; Grupi 2: Agjensitë e përfshira në menaxhimin e rasteve të viktimave të trafikimit (përgjegjësitë e të cilave rrjedhin nga Procedurat Standarde të Veprimit për Mbrojtjen e Viktimave të trafikimit); Grupi 3: Inspektoriatet shtetërore të shërbimeve; Grupi 4: Anëtarët e Autoritetit Përgjegjës; Grupi 5) Strukturat e Mbrotjes së Fëmijëve.

Pritet që kërkuesi të zhvillojë dhe të përgatisë instrumentet për mbledhjen e të dhënave dhe një Protokoll Sigurie dhe Etike që do t’I shërbejë qëllimit dhe audiencës së synuar dhe që në të njëjtën kohë të shmangin dëmtimin, të jenë “miqësorë ndaj konsumatorit’ dhe të shërbejnë për të fuqizuar kontributorët.

Në lidhje me broshurat: Synohet të draftohen 7 broshura me përmbajtje: treguesit e identifikimit dhe hapat për mbrojtjen e Viktimave/Viktimave të mundshme të trafikimit, që rrjedhin nga zbatimi I Procedurave Standarde të Veprimit për Mbrojtjen e Viktimave/Viktimave të mundshme të trafikimit (PSV) për 7 institucione: Policia e Shtetit dhe Policia e Kufirit, Strukturat e tjera të Policisë, Shërbimi Social Shtetëror, Strukturat e Mbrojtes sociale në Bashki dhe NJMF/ Punonjësit e Mbrojtjes së Fëmijëve, Inspektoriatin Shtetëror të Punës, Institucionet e Sistemit Arsimor, Institucionet e Kujdesit Shëndetsor.

Broshurat do t’iu shpërndahen punonjësve të këtyre institucioneve me qëllim që të rriten kapacitetet e tyre në drejtim të njohjes dhe zbatimit të përgjegjësive që rrjedhin nga PSV në drejtim të identifikimit dhe mbrojtjes se VeT/VMT.

V. Përgjegjësitë:

Eksperti/kërkuesi do të punojë në përputhje me metodologjinë e hartuar dhe rezultatet e pritshme në kuadër të projektit. Detyrat dhe aktivitetet e tij specifike do të realizohen me termat e referencës si më poshtë:

1. Shfletimi i literaturës dhe zhvillimi i instrumentave për mbledhjen e të dhënave.

2. Finalizimi i literaturës dhe instrumentave, si edhe hartimi i protokollit të Sigurisë dhe Etikës (Ëorkshop)

3. Mbledhja e të dhënave nëpërmjet instrumentave të aprovuar

4. Shkrimi i raportit të kërkimit

5. Rishikimi i raportit dhe finalizimi i studimit

6. Draftimi i broshurave me indikatorët dhe hapat për mbrojtjen e VeT/VMT, për institucionet mbështetëse.

VI. Indikatorët e performancës

– Realizimi i kënaqshëm i të gjitha detyrave që do të realizohen në kuadër të kontratës së bashkëpunimit dypalësh.

– Dorëzimi në afatet e përcaktuara në kontratë i studimit të finalizuar.

– Dorëzimi në afatet e përcaktuara në kontratë I fletëpalosjeve

VII. Kohëzgjatja e shërbimit të konsulencës

Kohëzgjatja e shërbimit do të shtrihet në periudhën 11 Shkurt – 31 Korrik 2020 e ndarë për dy detyrat kryesore:

 

– 40 ditë pune faktike për kryerjen e studimit

– 9 ditë pune faktike për draftimin e fletëpalosjeve

 

 

VIII. Konfidencialiteti

Konsulenti / kërkuesi merr në ngarkim realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të dhëna me drejtësi, përgjegësi dhe konfidencialitet, në përputhje me standardet e sjelljes së organizatës, vecanërisht në lidhje me përdorimin dhe mbrojtjen e informacionit dhe integritetit personal dhe profesional.

IX. Kompetencat dhe aftësitë

Vatra synon të kontraktojë një konsulent/kërkues me këto specifika:

1. Të ketë punuar të paktën 5 vjet në fushën Anti-trafikim.

2. Të ketë eksperienca të mëparshme, të ngjashme në realizimin e kërkimeve, analizave dhe studimeve, në fushën e mbrojtjes sociale dhe specifikisht në fushën e mbrojtjes së viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit.

3. Të jetë njohës/e i/e mirë i legjislacionit, politikave anti-trafikim, praktikave dhe Sistemit të Mbrojtjes në Shqipëri.

4. Aftësi të mira në fushën e kërkimit dhe shkrimit të raporteve, analizave dhe studimeve të fushës sociale.

5. Korrektësi në zbatimin në afat dhe me efektivitet të punës

X. Procesi i aplikimit

Personat e interesuar duhet të dërgojnë brenda datës 05 Shkurt 2020 në adresën e emailit zyrtar të Vatrës: info@qendravatra.org.al, materialet si më poshtë:

1. Letër – shprehje interesi

2. Një përmbledhje të shkruar të punës që synojnë të realizojnë (draft kalendar të shpërndarjes së punës; përshkrim të metodologjisë për hartimin e draft studimit; koncept ide për trajtimin e temave të përcaktuara)

3. Një ide për dizenjimin dhe përmbajtjen e fletëpalosjeve

4. Kopje të kartës se identitetit

5. CV – profesionale

6. Oferta financiare për realizimin e studimit

7. Oferta financiare per realizimin e fletëpalosjeve

8. Referenca- punë të mëparshme të realizuara.

XI. Procesi I përzgjedhjes

Procesi I përzgjedhjes së dokumentacionit do të realizohet nga Bordi Administrativ I Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” në bashkëpunim me stafin e projektit dhe specialistët përkatës të Qendrës.

Data të rëndësishme:

1. Mbledhja e dokumentacionit të kandidatëve deri me 5 Shkurt 2020

2. Shqyrtimi i dokumentacionit të kandidatëve brenda datës 7 Shkurt Janar 2020

3. Njoftimi i kandidatit fitues 10 Shkurt 2020

4. Fillimi i punës së kandidatit të përzgjedhur datë 11 Shkurt 2020

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *